E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, temperaturat e larta ngordhin farën e midhjes

SARANDE- Kultivuesit e midhjes në liqenin e Butrintit japin sërish alarmin se po u shkatërrohet biznesi dhe midhjes ka rrezik t’i humbasë edhe fara. Hysen Mane, një prej kultivuesve më të hershëm të këtij sektori, thotë se vapa e gushtit do të jetë me pasoja katastrofike për të nesërmen e prodhimit të midhjes. Sipas tij, molusqet e sidomos midhja, e shumta mund të durojnë në 26 gradë, ndërsa temperaturat e ujit në 2-3 metër thellësi në liqen, ka disa ditë që kanë kaluar më tepër se 30 gradë. 

Sipas tij, kjo ul në parametra minimalë praninë e oksigjenit dhe të planktonit, që është ushqimi kryesor për midhjen. Keli Magllara, një tjetër kultivues i midhjes, që ka në sipërmarrje disa impiante të kultivimit të midhjes, thotë se ky është një dëm kolosal që po shkaktohet në 4 mijë metra katrorë të liqenit dhe me kosto të pallogaritshme për qindra familje që jetojnë nga ky biznes. Ai tregon se në një metër e gjysmë që është gjatësia normale e vargut të midhjes së farës, të paktën në gjatësinë një metër gjen tani vetëm guaska të hapura dhe pa embrionin brenda, pasi ai ka ngordhur dhe ka përfunduar në fund të liqenit. 

Kjo, sipas tij, ka ardhur nga asfiksimi prej temperaturave të larta, ashtu si një vit më parë. Por sivjet, thonë kultivuesit e midhjes, askush nuk e dëgjon zërin e tyre. “Strukturat shtetërore, - shprehen ata, - janë në ethet e karrigeve që mund të humbasin nga ndërrimi i qeverive në fillim të shtatorit dhe jo tek zhdukja e milionave që ne kemi hedhur e tek zhdukja e farës së midhjes”. Midhjarët thonë se askush nuk ka ardhur të bëjë një matje të temperaturës së ujit të liqenit, ndërsa Drejtoria e Peshkimit në Sarandë e njeh situatën, por ndihet e pafuqishme për të bërë diçka. Duke dhënë alarmin e katastrofës ekologjike, që sipas tyre ka nisur, kultivuesit kërkojnë të bëhet freskimi i ujërave të liqenit nëpërmjet kalimit të lumit të Bistricës. 

“Midhja, - thonë ata, - po sakrifikohet për mungesë të menaxhimit të situatës, pasi kanali i ushqimit të liqenit me ujin e Bistricës nuk është thelluar”. Veç kësaj, ata denoncojnë edhe ndërhyrjet që janë bërë në 11 vende të gjatësisë së këtij kanali, nga kultivuesit e misrit, që e kanë devijuar ujin e lumit për ujitjen e sipërfaqeve të mbjella me misër. Sipas tyre, ujë ka për të gjithë, por kontrolli mbi përdorimin e tij mungon. Dëmi vlerësohet i jashtëzakonshëm, aq sa 60 kultivuesit e midhjes e quajnë atë një bombë ekologjike që u ka plasur këto ditë. Biznesmenët e midhjes në Butrint e dinë mirë se në kushtet kur liqeni është bërë një enë jokomunikuese, katastrofa vetëm pritet të rrisë përmasat. Prandaj ata sugjerojnë që strukturat e shtetit duhet të veprojnë sa më shpejt, përpara se liqeni të kthehet në një varrezë të gjallesave dhe pasurisë liqenore.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›