E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmohen përfaqësuesit e Trojkës në Tiranë, takojnë Berishën për zonjën Glover



Përfaqësuesit e Trojkës europiane po “ushtrojnë trysni” mbi qeverinë shqiptare për t’u tërhequr nga vendimi për mospranimin e shefes së misionit të ODIHR–it në Shqipëri. Kundërshtimi i drejtueses së këtij misioni, ambasadores Glover, nga qeveria, ka bërë që përfaqësuesit ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar. Përfaqësuesit e Trojkës europiane, ambasadorja çeke në Tiranë, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ambasadorja e Suedisë, si vendi që do të ketë këtë presidencë në gjysmën e dytë të vitit, si dhe një përfaqësues i delegacionit të Komisionit Europian ishin dje në zyrën e kryeministrit Sali Berisha për të diskutuar rreth problemit të lindur dhe për të ushtruar në njëfarë mënyre trysni që qeveria të tërhiqet nga pozicioni i saj. Takimi ka zgjatur më pak se një orë dhe sipas burimeve të Zërit të Amerikës, kryeministri ka përsëritur qëndrimin kundërshtues ndaj emërimit të ambasadores Glover me argumentet se raporti për zgjedhjet problematike të vitit 1996, kur ambasadorja Glover ishte drejtuese e ODIHR-it, nuk ka qenë plotësisht realist. Kryeministri mësohet të mos ketë përdorur terma të një refuzimi kategorik. Sidoqoftë, ende nuk mund të thuhet se ka ndonjë rezultat konkret.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë po ushtrojnë trysni pasi për ata largimi i një drejtueseje misioni vëzhgimi për shkak të mospëlqimit nga autoritetet do të krijonte një precedent shqetësues.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›