ODIHR-i i përgjigjet Berishës: Shefin e misionit nuk e cakton ti
Refuzohen takimet me përfaqësuesit e misionit monitorues të zgjedhjeve. Zëdhënësi i kësaj organizate, Jens-Hagen Eschenbesher, ka bërë të ditur se shefin e misionit monitorues të zgjedhjeve nuk e cakton qeveria shqiptare. Ai ka rrëfyer të gjitha detajet në dy intervista dhënë dje për BBC-në dhe “Zërin e Amerikës”, duke sqaruar edhe incidentin më të fundit të regjistruar dje paradite në Tiranë. “Takimi u anulua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, -tha Eschenbesher, duke sqaruar se qeveria është shprehur kundër caktimit të zonjës Glover në krye të misionit.
Përplasja
Shënohet përplasja e parë mes qeverisë dhe KQZ-së në njërën anë dhe misionit të ODIHR-it në anën tjetër, i cili ka mbërritur prej pak ditësh në Tiranë për të monitoruar zgjedhjet. Rezistenca e parë e dukshme është shfaqur dje paradite, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar të takojë stafin e misionit. Sjellja e KQZ-së së drejtuar nga zoti Ristani ka ardhur menjëherë pas pakënaqësisë së shprehur nga zoti Berisha për shefen e misionit, ambasadoren Glover, e cila është në krye të misionit të ODIHR-it.
Reagimi
Anulimi i takimit u pasua dje me reagimin e menjëhershëm të ODIHR-it, i cili e cilëson të papranueshëm qëndrimin që qeveria shqiptare po mban ndaj shefes së misionit të këtij organizmi në vendin tonë, për zgjedhjet e qershorit. Zëdhënësi i kësaj organizate, Jens Hagen Eschenbaecher, sqaroi situatën në intervistat që dha për dy mediat e huaja në Tiranë; BBC-në dhe Zërin e Amerikës. Ai thekson se ky qëndrim i qeverisë shqiptare “nuk është hapi i duhur”. Në këtë deklaratë, ODIHR-i i bën të qartë edhe njëherë qeverisë shqiptare se “nuk është ajo që ka rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it dhe se kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR-it”.
Zëdhënësi i këtij organizmi konfirmoi zyrtarisht faktin se qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin e shefes së misionit vëzhgues të zgjedhjeve në qershor Odrei Glover, për shkak të raportit kritik të mbajtur nga ky mision në vitin 1996, i cili në atë kohë drejtohej po nga Glover. "Qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë të kryetares së misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri", - është shprehur zëdhënësi i ODIHR-it për BBC-në. Ai madje ka konfirmuar edhe faktin se qeveria shqiptare është kundër znj.Glover, pasi ajo ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve shumë të kritikuara të vitit 1996. “OSBE-ja nuk do ta ndryshojë kreun e misionit vëzhgues në Shqipëri, zonjën Glover, e cila ka kualifikimin e duhur për të kryer këtë punë”, - deklaron zëdhënësi i ODIHR-it. Sipas tij, misioni i ODIHR-it mbetet i vendosur të vlerësojë zgjedhjet nëse ato përmbushin angazhimet e OSBE-së, standardet ndërkombëtare, si dhe ligjet e vendit.
Anulimi i takimit të djeshëm në KQZ shënoi konfliktin e hapur që ekzistonte prej disa kohësh mes qeverisë dhe ODIHR-it.
Bosh: OSBE-ja ka rolin e arbitrit
Kreu i misionit të OSBE/ODIHR-it në vendin tonë, Robert Bosh, ka reaguar dje lidhur me misionin e vëzhguesve që kanë mbërritur në vendin tonë për të monitoruar situatën parazgjedhore, duke e cilësuar këtë mision si autonom. Si formë reagimi ndaj komenteve që janë bërë në shtyp së fundi lidhur me drejtimin e misionit të vëzhguesve nga ambasadorja britanike Glover. Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë, Bosh, është shprehur se institucioni që ai drejton ka rolin e arbitrit, duke lënë të nënkuptohet se qeveria nuk duhet të shfaqë probleme të tilla.
13 Maj 2009