Fabio Hoxha i bën gol Milanit
Altin Haxhi me Apoelin e tij fitoi kampionatin qipriot, Lorik Cana me Olimpikun e Marsejës është favoriti kryesor për të fituar titullin 17-vjetësh në Francë. Në Qipro ka një dukuri “legjionarësh shqiptarë”, pasi te tre skuadrat e renditura të parat, Apoel, Omonia e Anorthosis, ka një brenda tyre një lojtar shqiptar, respektivisht Altin Haxhi, Klodian Duro e Arjan Beqaj.
Legjionarët e tjerë shqiptarë në Gjermani ose luftojnë për mbijetesë (Skela e Kapllani në Gjermani, respektivisht me Energi Kotbus e Karlsruhe), ose për t’u ngjitur një kategori më lart, siç është rasti i Jahmir Hykës me Maincin e Bundesligës 2. Në Itali, Erjon Bogdani po jep më të mirën e tij, duke ndihmuar Kievon për të mbijetuar në Serinë A. Madje, sulmuesi shqiptar dha asistin e golit të parë në barazimin 2-2 kundër Interit. Ndërkohë që debutimin simbolik me Palermon këtë sezon e bëri edhe Samir Ujkani, pikërisht në ndeshjen kundër Milanit, ndaj të cilit portieri i Kombëtares shqiptare do të luajë edhe në “Qemal Stafa” ditën e martë me rastin e trofeut “Taçi Oil Albania Reads”.
Hamdi Salihi, sulmuesi shkodran që shënoi të shtunën e kaluar dy gola në fitoren 4-0 të SV Ried kundër Matersburgut në kampionatin austriak, shpreson t’i shënojë gol në miqësoren e luksit kundër kuqezinjve nga Milano ditën e martë. Por, një tjetër shqiptar e bëri këtë në portën e Milanit, edhe pse flitet veçse për formacione të moshës U-16, apo “allievi regionalli”. Të dielën, më 10 maj, Milani fitoi 2-1 në transfertë me Interin, pikërisht për javën e 14-të (një javë e prapambetur kjo), dhe golin e vetëm për Interin, sipas faqes zyrtare zikaltër, e shënoi shqiptari Fabio Hoxha (40’), i cili i bëri një dhuratë të bukur vetes me rastin e 16-vjetorit të lindjes (i mbushi, më 7 maj). Për Milanin, sipas faqes zyrtare të tij, realizuan Lombardi (2’) dhe Ameloti (62’). Interi u shpall kampion për herë të pestë në kategorinë e kampionatit U-16, një kampionat të dominuar plotësisht: 32 ndeshje, 30 fitore, 1 barazim e 1 humbje, 128 gola të shënuar, 20 të pësuar. Në krye me 91 pikë. Me një diferencë prej 14 pikësh nga Atalanta e vendit të dytë dhe 21 pikësh me Milanin. Kontributin më të rëndësishëm padyshim e ka dhënë talenti shqiptar Fabio Hoxha, një prej katër lojtarëve me kombësi të huaj në grupin e drejtuar nga trajneri Paolo Tomasini. Fabio u shndërrua në një makinë të vërtetë golash: 20 gola, pesë më shumë se golashënuesi i dytë më i mirë brenda grupit, Paolo Kokuca. Sezoni futbollistik ishte i tërë për t’u shijuar: 25 gola në total, përfshirë një gol me “Allievi Nacionali” dhe katër në turneun “Ferroli”, ku dy prej tyre i shënoi në fitoren 2-1 të Interit kundër Arsenalit dhe u shpall nënkampion i turneut, pasi në finale zikaltërit humbën me penallti me Realin e Madridit.
Pikërisht pas këtij turneu Interi i propozoi “xhevahirit” të tij 16-vjeçar, të ndjekur edhe nga skauterit e Çelsit e Arsenalit, një kontratë me kushtet e një lojtari profesionist. Së fundi në lojë ka hyrë edhe Mançester Junaitid. Klubi i madh anglez është i njohur për “rrëmbimin” e talenteve të pastër dhe i ka bërë
edhe një ofertë menaxherit të lojtarit shqiptar.
12 Maj 2009