Alastair Campbell zbulon artin e komunikimit në Tiranë
Alastair Campbell, mbreti i komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun në Britaninë e Madhe, ka zhvilluar dje live në Tiranë një bashkëbisedim interaktiv me ekspertë të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun të kompanive më të mëdha në Shqipëri. Në formë bashkëbisedimi me të pranishmit, Campbell rrëfeu eksperiencën e tij si drejtor i komunikimit të kryeministrit Toni Blair, duke treguar ngjarje të veçanta që nga përzgjedhja e motos, “New Labour, New Britan” e deri te sekretarja e tij Alison, që mbante shënimet me shkrim dore të Toni Blair dhe Campbell, duke shtuar që në zemër ai mbetet në njeri që preferon letrën e lapsin, pavarësisht rrjeteve sociale dhe përdorimit masiv të twitter-it. Në aktivitetin e sponsorizuar nga kompania Vodafone dhe të organizuar nga PWorld në bashkëpunim me PUBLIX PR , Alastair Campbell përmendi shpesh rolin e telefonisë celulare në komunikimin strategjik të kompanive dhe faktin që ai është një përdorues i çmendur i Blackberry-t, për të cilin ai u shpreh se e lejon shpeshherë Blackberryn e tij të mësoje ngjarjet live e madje edhe t’i komentojë përpara se të ndodhin. Alaistair Campbell takoi dje në mëngjes në një takim privat, pak para aktivitetit, në Rogner kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe në orën 18.00, pak çaste pas përfundimit të aktivitetit, ai u prit po në një takim privat nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, në zyrën e tij në Kryeministri. Të pranishmit në aktivitetin e Alastair Campbell patën mundësinë të shohin nga afër aftësitë komunikuese dhe humorin e hollë anglez, si dhe të njihen me praktikat më të fundit të strategjisë së komunikimit në epokën e transformimeve teknologjike.