E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Qeveria të unifikojë kosto për metër katror

SHKRUAN: Sabina Veizaj 15-10-2011 11:33

Në 10-vjetorin e Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve kreu i shoqatës, Maksim Muçi, ka kërkuar nga qeveria të vendosë një kosto fikse për metër katror, në bazë të të cilit do të shlyhen detyrimet ndaj shtetit të ndërtuesve

Ndërtuesit në 10-vjetorin e krijimit të shoqatës së tyre i kanë propozuar qeverisë lehtësira të mëtejshme për sektorin e ndërtimit, për një treg me konkurrencë të ndershme. Kreu i shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, Maksim Muçi, i kërkoi qeverisë që të rishikojë kërkesën për një kosto fikse për metër katror të ndërtimeve, me qëllim uljen e barrës fiskale për këtë sektor. Pasi përshëndetën nismën e kryebashkiakut të Tiranës, Lulëzim Basha, për hipotekimin e apartamenteve, ndërtuesit kërkuan gjatë takimit përshpejtimin e këtij procesi, që do t’i japë shtysë shitjes së banesave dhe do të çlirojë një kapital të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare. Në ceremoninë e 10-vjetorit të Shoqatës ndërtuesit kërkuan gjithashtu ndihmën e qeverisë për zgjidhjen e disa problemeve me të cilat përballet sektori. “Jemi të gjithë dëshmitarë të kolapsit që po kemi në tregun e banesave dhe mendoj se një rrugë e mirë për t’u ndërmarrë është përshpejtimi i procesit të hipotekimit”, tha Artan Dulaku. Nga ana e tij ministri i Financave, Ridvan Bode, i pranishëm në takim, u shpreh, në mbështetje të ndërtuesve, se “vështirësitë që hasim aktualisht kërkojnë një vëmendje dhe një bashkëpunim më të gjerë, për të kapërcyer vështirësitë e përkohshme dhe për t’i dhënë qëndrueshmërinë në kohë industrisë së ndërtimit”. Pak ditë më parë qeveria miratoi rregulloren sesi institucionet përkatëse do të procedojnë për hipotekimin e pallateve të reja. Rregullorja do të bëjë të mundur që të pajisen me leje shfrytëzimi pallate, ndërtime, të cilat në total vetëm me detyrimet e tyre pritet që të çlirojnë një kapital rreth 700-800 milionë euro. Udhëzimi është hartuar mbi Memorandumin e përbashkët të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, me ministrin e Drejtësisë, ministrin e Punëve Publike dhe Transportit. Ky udhëzim i jep zgjidhje një problemi të madh për rreth 400 pallate dhe ndërtime në kryeqytet me këtë problematikë, duke i pajisur me leje shfrytëzimi. Pas krizës së vitit 2008, sektori i ndërtimit pësoi një krizë të menjëhershme duke u ndodhur në stanjacion si pasojë edhe e ndikimit të krizës globale. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë tremujorit të parë të këtij viti aktiviteti i ndërtimit shënoi një rritje prej 4.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa me miratimin e rregullores pritet të çlirohet ky treg sa më shpejt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›