E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albamono 2011” shfaqjet premierë nga 10 shtete të botës

Edicioni i 6-të Ndërkombëtar i Menodramës “Albamono 2011” sjell sivjet 14 trupa. nga më se 10 shtete të botës si; Armenia, Bjellorusia, Gjermania, Greqia, Kirgistani, Kosova, Lituania, Maqedonia, Polonia, Rusia, Serbia e natyrisht Shqipëria. E veçanta është se më shumë se gjysma e shfaqjeve, që do të ngjiten në skenën e teatrit të Korçës, janë premiera që shfaqen për herë të parë këtu dhe kjo, sipas organizatorit Dhimitër Orgocka, i jep një kuptim dhe rëndësi të veçantë aktivitetit, pasi shton seriozitetin dhe konkurrencën e aktorëve nga vendet pjesëmarrëse. Aktori dhe regjisori Orgocka, sapo ka mbaruar së vëni në skenë disa spektakle, si ai i Skënder Rusit, Koçi Petritit, menjëherë ka filluar të punojë për të vënë në skenë një dramë nga Kampanelis me Teatrin e Korçës. Por nga gjithë këto punë, vëmendjen e ka te Festivali Ndërkombëtar i Monodramës, që është pagëzuar me emrin Albamono. Kur e pyet se çfarë është Albamono, ai përgjigjet; “Do ta shpjegoj me pak fjalë; Teatri, si kudo, jo vetëm në Shqipëri por dhe në Europë (lindje e perëndim), ka vite qe është në krizë, krizë për shikues, për fonde, për ide, për reforma, etj. Një pjesë aktorësh e regjisorësh, apo dhe krijuesish, kanë gjetur mbijetesën me forma të ndryshme, dikush mbase po bën edhe biznes, dikush qëndron në radhë për të pritur nga Bashkia apo tjetër, ndonjë ofertë për të marrë ndonjë rol dhe dikush ka gjetur të bëjë teatër dhe me pak buxhete, që do të thotë me sa më pak aktorë, sa më pak dekor dhe staf mbështetës. Në ketë mes Monodrama-loja, me një aktor, e kryen më së miri ketë detyrë. Sigurisht që kërkon një aktor-aktor! Të luajë vetë 45 minuta, ose një orë, dhe të mbajë audiencën të ngrehur, të komunikojë me të e të mos e lërë ta zërë “gjumi”. Albamono nisi mbi këtë bazë”. Por interesantja e këtij aktivitetit është se shfaqjet jepen në vendet turistike të qytetit. Në edicionet e mëparshme, skenë për aktorët kanë qenë Kisha e Voskopojës, natyra Piktoreske e Dardhës dhe e Volorekës, etj, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›