E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia e qytetit të Korçës, në rrezik!

SHKRUAN: Kliti Kallamata 06-04-2011 11:40

Ndryshe nga shumë qytete të Shqipërisë, Korça është një qytet i formuar dhe i konsoliduar, nga pikëpamja urbanistike dhe arkitektonike, çka përbën edhe veçantinë apo karakteristikën e tij, që mund ta dallojë lehtë jo vetëm një profesionist por edhe një qytetar, e vizitor i thjeshtë. Ky qytet ka një skemë të qëndrueshme urbanistike, që i ka rezistuar më së miri kohës për gati dy shekuj dhe ruan një koncept që ende sot mund të konsiderohet racional, pasi është koncepti që mbisundon tashmë thuajse në të gjitha qytetet evropiane, si dhe në ato të kontinentit amerikan. Qysh në mesin e shek.19 Korça u shkëput qartazi nga urbanistika mesjetare otomane, që mbizotëronte në qytetet e Ballkanit, si dhe në pjesën më të madhe të qyteteve të Europës, deri në atë kohë. Korça u zhvillua me ritme të shpejta, duke u bazuar në një skemë tepër moderne për kohën, në të ashtuquajturin “sistem ortogonal”. Ky sistem pati një përdorim të gjerë në qytetet e Botës së Re gjatë shekujve 17, 18 e 19. Në Europën Perëndimore, “sistemi ortogonal” pati një përdorim të kufizuar, pjesërisht në disa qytete të mëdha, pasi deri në këtë kohë, struktura urbanistike e tyre ishte formuar tërësisht gjatë zhvillimeve mesjetare. Në Ballkan, i pari qytet që zbatoi “sistemin ortogonal” ishte Athina (nga Arkitekti i Shtetit të Bavarisë, Friedrich νon Gaertner, i cili, kur projektoi më 1835 Pallatin e Mbretit Otto, sot Parlamenti Grek, hartoi edhe një plan urbanistik të zonës përreth tij). Korça përfaqëson një nga shembujt më të rrallë e më të mirë në Ballkan, ku urbanizimi i qytetit filloi relativisht herët, që më 1855, ndërsa mbas një dekade, në fund të viteve ’60, apo fillim të viteve ’70, ndërtimi i këtij plani urbanistik ishte zgjeruar aq shumë, sa tashmë struktura e qytetit ishte përcaktuar qartë. “Sistemi ortogonal” vazhdoi edhe për gati një shekull të praktikohej në zhvillimin e qytetit të Korçës, duke imponuar standarte moderne të higjenës dhe trafikut dhe çka ishte më e rëndësishme, një program të qartë për rritjen e mëtejshme e të vazhdueshme të qytetit, duke shtuar blloqe të reja banimi në mënyrë mekanike. “Sistemi ortogonal” u pëlqye shumë edhe nga shtresat e reja të shoqërisë, pasi plotësonte kërkesat e banimit të një klase qytetare të mesme në rritje, të cilët përderisa kishin thuajse të njëjtin nivel ekonomik, viheshin në kushte të njëjta banimi. Ky ekspansion i ri urbanistik u shoqërua me shumëllojshmëri stilesh arkitekturalë, të cilët u ndihmuan edhe nga futja e përdorimi i teknologjive e materialeve të reja në ndërtim. Përhapjen më të gjerë e kishte arkitektura Neo-Klasike, e cila predominonte në Europën e asaj kohe, dhe përputhej me kërkesat që kishte borgjezia e re për struktura që të pasqyronin madhështinë e autoritetin e saj. Ndërsa nga fillimi i shekullit 20, shohim edhe ndërtime të Art Nouveau e Art Deco, si shprehje të ndërgjegjësimit intelektual dhe estetik. Çdokush që e ka parë Korçën, edhe pa qënë arkitekt, e ka të qartë se ky qytet ruan vlera të padiskutueshme në urbanistikë dhe arkitekturë, vlera të tilla që jo vetëm nuk i ka, por do t’i kishte zili çdo qytet në Ballkan dhe shumë qytete në Europë. Eksperienca europiane tregon se ato pak qytete, që mbartin dhe ruajnë ende sot vlera të tilla, ruhen me fanatizëm të thellë, trajtohen me shumë kujdes, thuajse nuk preken fare dhe ndërhyrjet në to u nënshtrohen analizave të gjera e të hollësishme nga specialistë të mirëfilltë të fushave, në mënyrë që të mos tjetërsohen e të humbasin vlerat që kanë. Për këto arsye, në vitin 2001, kur ndërtimet e shumta e pa kriter po transformonin e shpërfytyronin çdo ditë qytetet e Shqipërisë dhe duke parë se një rrezik i tillë, herët ose vonë, do t’i kanosej edhe qytetit të Korçës, Dega e Monumenteve të Kulturës në Korçë i propozoi Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) në Tiranë të vinte nën mbrojtje Bërthamën e Vjetër të qytetit, që përfshinte krejtësisht lagjet 1, 2, 3, 11, 12 si dhe ansamblin e Pazarit të Vjetër të qytetit. Këto lagje pasqyronin më së miri të gjitha arritjet urbanistike dhe arkitektonike të këtij qyteti, që pa hezituar mund të rradhitej si qyteti me trashëgiminë më të plotë të urbanistikës dhe arkitekturës moderne të shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20. Në vitin 2002, Këshilli i Ministrave e miratoi propozimin, duke avancuar më tej masën e mbrojtjes dhe duke vlerësuar maksimalisht këtë trashëgimi të rrallë urbanistike e arkitektonike. Ai e shpalli të gjithë Bërthamën e Vjetër të qytetit “Qendër Historike”. Ky vendim hapte rrugën për ta vënë këtë mjedis vlerash historike në qendër të politikave zhvilluese ekonomike e integruese të qytetit dhe përdorimin e mekanizmave financiare për të krijuar e konsoliduar industrinë kulturore, në dobi të banorëve të saj. Por në vitin 2005, në vend që statusi i mbrojtjes së këtyre vlerave të ngrihej në nivel ndërkombëtar (sikurse ndodhi me Gjirokastrën e Beratin, që u listuan si pasuri botërore), me propozim të prefektit të Korçës z. Niko Peleshi, Këshilli i Ministrave “rishqyrtoi” vendimin, duke e reduktuar Qendrën Historike vetëm në bulevardin “Republika” dhe në ansamblin e Pazarit, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e lagjeve 1, 2, 3, 11 e 12 u quajt me termin “Ansambël Urbanistik Arkitektonik Tradicional”, që ende sot është jo shumë i qartë në ligjin “Për Trashëgimisë Kulturore”. Ky vakum ligjor krijoi premisa që trashëgimia urbanistike dhe arkitektonike e qytetit të Korçës të bjerë pré e transformimeve dhe humbjes së vlerave të krijuara gjatë shekujve. Periudha pasardhëse, që përputhet me mandatin e z. Peleshi, si kryetar bashkie i qytetit të Korçës, shënoi prishjen e dhjetëra e dhjetëra banesave dykatëshe, disa prej të cilave me vlera unikale në historinë e zhvillimit të arkitekturës në Shqipëri, të cilat u zëvendësuan me ndërtime 4, 5 e 6 katëshe krejtësisht jashtë karakterit të ansamblit dhe që shpërfytyruan dukshëm rrugicat e famshme qytetit. Çdo muaj, për katër vjet me rradhë, KRRT e kësaj bashkie ka miratuar dhjetëra leje prishjesh të banesave ekzistuese dhe i ka zëvendësuar ato me banesa kolektive (apartamente), jo vetëm brenda Ansamblit Urbanistik Arkitektonik Tradicional, por edhe në atë çka ka mbetur nga Qendra Historike, megjithëse ligji mbart detyrimin e miratimit nga IMK dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve të çdo veprimtarie ndërtimore në to. Kryetari i bashkisë së Korçës ka anashkaluar edhe ato pak detyrime ligjore, duke shpërfillur institucionet përgjegjëse. Shkatërrimi i vlerave urbane po kalon çdo kufi dhe nuk po ndalet as përpara monumenteve të kulturës të kategorisë së I-rë, që edhe pse të ndodhura në qendër të qytetit janë rrafshuar në mes të ditës e me mjete të rënda. Tashmë katër vjet më pas, e ardhmja e lagjeve 1, 2, 3, 11 e 12, që ishin dikur lagjet më të bukura dhe krenaria e qytetit të Korçës, është vënë në udhëkryq, pasi vlerat urbane zhduken çdo ditë. Qyteti po ndryshon drejt regresit me shpejtësi. Kohët e fundit, qytetarët e Korçës janë dëshmitarë të përpjekjeve të çoroditura, për t’i kthyer arteriet kryesore të qytetit në rrugë “pedonale” dhe për ta spostuar trafikun e rënduar në rrugicat e ngushta të qytetit. Janë harxhuar shuma marramendëse nga taksat e qytetarëve korçarë, për të zëvendësuar asfaltin e bulevardeve me kalldrëm tepër luksoz, për ekonominë e varfër të qytetit, ndërsa u prishën kalldrëmet tradicionale për të asfaltuar rrugicat karakteristike të tij. Humbja e vlerave historike u kurorëzua me një “konkurs ndërkombëtar” për qendrën e qytetit, ku ndërtime monstruoze nga 6 në 8, 10 e 12 kate, u planifikuan të bëhen duke prishur banesat me vlerë të fillimit të shek. 20, duke ngushtuar bulevardet ekzistuese dhe duke zvogëluar sheshet publike e gjelbërimet kryesore të qytetit. Studioja që fitoi, mbas përfundimit të konkursit, lëshoi edhe katër projekte të tjera rradhazi, të ndryshëm nga njëri-tjetri, ku lartësia e ndërtimeve rritej nga variant në variant, sipas porosive “të drejtuesve të bashkisë”. Por ky synim, për transfigurimin rrënjësor të qendrës tradicionale të qytetit, u përball me rezistencën e vazhdueshme të arkitektëve e urbanistëve të qytetit, 26 prej të cilëve nënshkruan një deklaratë kundër planeve për zhdukjen e vlerave thelbësore të qytetit të tyre. Arkitektët ndërgjegjësuan opinionin publik dhe konkursi, i cili edhe formalisht ishte i jashtëligjshëm (pasi detyra e projektimit nuk ishte e miratuar në KRRTRSH) kompromentoi rëndë jo vetëm drejtuesit e bashkisë së Korçës, që rezultoi se kishin luajtur thjesht si sekserë të rëndomtë pronash, por edhe seriozitetin e studios fituese, me ndryshimet e shumta “post-konkurs” të projektit. Por pikërisht kur pritej reflektimi i nevojshëm ndaj besimit të qytetarëve, ndodhi e kundërta, këto projekte, pa u ligjëruar as nga KRRT, filluan të zbatohen fillimisht si trotuare e ngushtim rrugësh, duke krijuar konflikte ligjore mes institucioneve përgjegjëse dhe duke ngjallur reagimin e ashpër të qytetarëve. Para pak kohësh, cënimi i vlerave të arkitekturës urbane të qytetit të Korçës u bë objekt diskutimi edhe në Komisionin e Kulturës të Parlamentit Europian, i cili, duke i konsideruar këto vlera pjesë të trashëgimisë historike dhe kulturore europiane, përcjell shqetësimin me anë të një mocioni, ku i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe autoriteteve të Bashkisë së Korçës, të ruajnë këto vlera. Mocioni është nënshkruar nga 20 eurodeputetë të majtë e të djathtë (13 prej të cilëve nga Mbretëria e Bashkuar), të cilët njihen si personalitete me kontribute të shquara në kulturën europiane dhe trashëgiminë botërore dhe që sëbashku ndajnë mendimin se trashëgimia urbane e qytetit të Korçës nuk është një vlerë kalimtare, por është pjesë e trashëgimisë së vyer dhe të papërsëritshme europiane dhe duhet të mbrohet me forcë. Ky është edhe rasti më i pashembullt në historinë e bashkive të vendit tonë, kur organizmi më i rëndësishëm ndërkombëtar europian (anëtarë të të cilit pretendojmë të bëhemi) detyrohet t’i tërheqë vëmendjen qeverisë shqiptare, për shkak të papërgjegjshmërisë së drejtuesve të një bashkie, që pasi kanë shkatërruar masivisht e në mënyrë sistematike për katër vjet me rradhë vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit, që u është besuar për administrim, insistojnë ende në zbatimin e projekteve agresive e shkatërrimtare për banorët dhe të ardhmen e tyre.

Kliti Kallamata

Arkitekt & Restaurues

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›