Muslim Mulliqi “premiera” artistike e piktorit në GKA
Veprat e tij i kanë rezistuar kohës sepse ato qëndrojnë jashtë skemave të realizimit socialist. Piktori i njohur kosovar, Muslim Mulliqi, u përqendrua tek ekzistenca e tij si artis, duke refuzuar realizimin socialist. Sot në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë do të çelet ekspozita e piktorit të njohur kosovar, Muslim Mulliqi, titulluar “Muslim Mulliqi, Vepra 1970-1990”. Ai konsiderohet si një pionier i artit modernist në gjithë hapësirat shqiptare, piktor impresionist dhe ekspresionist i Kosovës. U lind në një familje artistësh në Gjakovë, në vitin 1934 dhe u nda nga jeta në vitin 1998 në Prishtinë. Kjo është ekspozita e parë vetjake e piktorit, në Tiranë, dhe për Galerinë Kombëtare të Arteve kjo ekspozitë konsiderohet si një ngjarje e shënuar për komunitetin artistik shqiptar. Krijimtaria e Mulliqit në pikturë shtrihet për rreth 40 vjet dhe i përket fillimit të viteve 1960 dhe përfundon në vitin 1998. Ajo ndahet në cikle apo faza të ndryshme. Ekspozita “Muslim Mulliqi, Vepra 1970-1990” përfshin një hark kohor 20-vjeçar dhe përmban 32 vepra të krijuara gjatë harkut kohor 1970-1990. Temat e ekspozuara janë: “Legjenda baritore”, “Kokat e malësorëve”, “Kullat”, “Familja” dhe “Vorbulla”. Ekspozita përmban vepra të realizuara në teknikën e vajit mbi pëlhurë dhe mbi dru. Piktura e Mulliqit është një pikturë ekspresioniste figurative. Ajo është një shprehje komplekse, ku ndërthuren folklorizmi me bashkëkohoren. Nëpër fazat e ndryshme ku kalon, vepra e tij trajton ambientin rrethues kosovar, ku ai është rritur dhe ka kaluar fëmijërinë, duke tentuar drejt një thelbi filozofik individualist, që tejkalon sfondin territorial lokal dhe kërkon universalen dhe lirinë e shprehjes artistike, të shprehur më së miri nëpërmjet fluturimit të figurave që ai pikturon, në kërkim të “Pushtimit të hapësirave të reja”, ashtu siç titullohet edhe një nga ciklet e tij më të njohura. “Dua të gjej një kuptim më të thellë të jetës, të përjetuar qysh në fëmijëri. Si ka jetuar për shembull, ç`ka ka menduar, ç`ka ka ndjerë ai burrë, apo ajo grua, që na kanë shikuar pas dritareve të mbyllura ndërsa ne fëmijët luanim. Pikturat e mia e kërkojnë atë njeri pas një hapësire, që ka jetë të pasur të brendshme, por që është e përmalluar për diell dhe gjerësi” - është shprehur vetë Mulliqi për artin e tij. Krijimtaria e Muslim Mulliqit i prezantohet për herë të parë publikut shqiptar, por ai ka çelur ekspozita në Kosovë, në gjithë hapësirat e ish-Jugosllavisë, deri në Itali. Ai përfundoi Shkollën e Mesme të Arteve të Aplikuara në Pejë, në 1951, dhe u diplomua në Akademinë e Arteve Figurative të Beogradit, në vitin 1959. Në vitin 1962 u çel Akademia e Arteve Figurative në Prishtinë. Ai u emërua profesor dhe ishte dekani i parë i kësaj Akademie, njëkohësisht njihet edhe si themeluesi i saj. Duke e vlerësuar si një ngjarje të rëndësishme për artin pamor shqiptar, në çeljen e kësaj ekspozite do të jetë i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës Memli Krasniqi. Galeria Kombëtare e Kosovës organizon çdo vit një ekspozitë me emrin e tij. Gjatë karrierës së tij ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.