Alban Beqiri shpallet kampion i Ballkanit në boks për peshën 71 kg

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Boksieri shqiptar Alban Beqiri është shpallur kampion i Ballkanit në boks.
Boksieri shqiptar e dominoi ndeshjen me kundërshtarin e tij ukrainas, Matiakubov, në peshën 71kg, duke e mbyllur ndeshjen përpara kohe në raundin e dytë.
Për fitoren e Beqirit ka reaguar edhe ministria e Mbrojtjes.
“Koloneli i Forcave të Armatosura dhe kampioni ynë, Alban Beqiri, ka shkëlqyer sërish në ring, duke u shpallur Kampion i Ballkanit në Boks! Në kategorinë 71kg, ai dominoi kundërshtarin ukrainas, Matiakubov, duke e mbyllur ndeshjen në raundin e dytë”- shkruan ministria e Mbrojtjes.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ky sukses në Luznica të Serbisë tregon forcën dhe pasionin e sportistëve shqiptarë, njëkohësisht pjesëtarë të FA, të cilët mbrojnë ngjyrat tona me krenari, si në arenën sportive ashtu edhe në uniformë.
/a.f/