KIEV – Ukraina ka humbur mbi 40 për qind të territorit në Kursk të Rusisë

KIEV, 23 nëntor /ATSH/- Ukraina ka humbur më shumë se 40% të territorit në rajonin e Kurskut të Rusisë që kapi në gusht, tha një burim i lartë ushtarak ukrainas, sipas “Reuters”.
“Rusia ka dislokuar 59 000 trupa në rajon që nga pushtimi i befasishëm i forcave të Kievit”, tha burimi, në shtabin e përgjithshëm të Ukrainës.
“Ne kontrollonim rreth 1376 kilometra katrorë dhe tani ky territor është më i vogël. Trupat ruse po shtojne kundërsulmet”, tha burimi.
“Tani ne kontrollojmë afërsisht 800 kilometra katrorë. Ne do ta mbajmë këtë territor për aq kohë sa të jetë e përshtatshme ushtarakisht”, shtoi burimi.
Ofensiva e Kurskut ishte pushtimi i parë tokësor i Rusisë – nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore.
Qëllimi i Kievit ishte të frenonte sulmet ruse në Ukrainën lindore dhe verilindore, ta detyronte Rusinë të tërhiqte forcat që avanconin gradualisht në lindje dhe t’i jepte vetes një levë shtesë në çdo negociatë të ardhshme të paqes.
“Por, forcat ruse kanë përparuar në rajonin e Donetskut gjatë dy muajve të fundit – me ritmin e tyre më të shpejtë që nga marsi 2022”, sipas burimit.
Ata tani kontrollojnë më pak se 20% të territorit të Ukrainës.
Këtë fundjavë, Rusia tha se forcat e saj kishin kapur fshatin Novodmytrivka në rajonin Donetsk, të Ukrainës lindore – avancimi i tyre i fundit në atë që Andrei Belousov, ministri rus i Mbrojtjes, e përshkroi si një përparim të “përshpejtuar”.
Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha mbrëmë se Novodmytrivka, në veri të qytetit kyç të Kurakhoves – ishte në mesin e tetë fshatrave ku forcat ruse ishin të angazhuara në luftime dhe në përpjekje për të avancuar.
Forcat ruse thuhet se kanë avancuar gjithashtu më shumë në veri pranë Kupianskut, një qendër hekurudhore dhe qendër logjistike në rajonin e Kharkivit.
Burimi i shtabit të përgjithshëm tha se rreth 11 000 trupa të Koresë së Veriut kishin mbërritur në rajonin e Kurskut në mbështetje të Rusisë. //a.i/