Alban Krasniqi nga “Vetëvendosje” betohet para presidentes

Lëvizja “Vetëvendosje” gradualisht po përshtatet me sistemin politik në Kosovë. Nuk kanë kaluar shumë kohë që nga hyrja në Kuvendin e Kosovës, dhe aktivistët e saj po i nënshtrohen rregullave formale të Kushtetutës së Kosovës, që i quajnë “Ahtisaariane”. Madje edhe betohen para flamurit kosovar që publikisht nuk e njohin. Kjo gjë i ndodhi Alban Krasniqit nga Lëvizja “Vetëvendosje” i cili u betua para Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me rastin e emërimit të tij si anëtar i KQZ-së.
Ndërsa kolegët e tij deputetë nuk flasin në foltoret e Kuvendit me flamurin mbrapa dhe kur u betuan nxorën flamujt kuq e zi nga xhepi, Albani me dorën e ngritur lart, lexoi fjalët e betimit që u lexua nga Presidentja Jahjaga. Në deklaratën për mediat të presidencës së Kosovës thuhet se “vendimi për emërimin e tij është marrë duke u bazuar në nenin 139, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 61, në nenin 62 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje”.