Albani & Miriam do prezantojnë
Dy këngëtarët e rinj, të famshëm, Alban Skënderaj dhe Miriam Cani i zbresin shkallët e RTSH-së të ndjekur nga kamerat, pasi kanë pranuar ftesën për të qenë të dy prezantues të festivalit të dimrit në Tiranë.
Nga ekrani i TVSH-së kuptojmë se këta dy këngëtarë do të jenë “surpriza” artistike, si elementë të spektaklit, të Festivalit të Këngës së Lehtë që organizohet çdo fundvit, prej më se katër dekadash, ndoshta veprimtaria më rezistuese e kohëve nga diktatura.
Dihet që RTVSH është televizion publik dhe për këtë duhet nga organizatorët transparencë të organizimit të festivalit. Por kjo nuk po ndodh. Deri tani askush nuk ka dalë në media të prezantojë stafin, që do të punojë për këtë festival. Ndonëse mësojmë se Selim Ishmaku është drejtori artistik i festivalit, ndoshta dhe njeriu që ka mbajtur përgjegjësinë për të bërë publike, direkt vetë, personalisht, këngët që janë selektuar për mbrëmjet e festivalit, të ndara në natën e të rinjve dhe këngëtarëve BIG. Të paktën datat se kur do të organizohet festivali janë marrë vesh përmes reklamës që jepet në TVSH, ndonëse duhet të ekzistojë një zyrë shtypi që të vihet në shërbim të informacionit publik, meqë ky televizion mbahet me lekët e taksapaguesve. Por, duke e shterur deri në pikë të fundit mënyrën se si shpesh organizohen veprimtaritë këtu, se si dosja e shtypit vazhdon të jetë një ditë e largët për organizatorët e veprimtarive - kultura informative ka mbetur ende në hapat e demagogjisë, të fjalëve të mëdha, për veprimtari të mëdha, që në fund shfryhen si një tullumbace dhe askujt, asnjëherë nuk i kërkohet llogari se për çfarë u shpenzuan milionat. Rasti i festivalit të RTVSH-së është më precedenti, duke pasur parasysh edhe luftën e madhe që bëhet për përfaqësuesit e Eurovizionit.
Edhe dhjetë ditë nga nisja e festivalit dhe lajmi se Alban Skënderaj dhe Miriam Cani do të jenë prezantues është befasues. Për publikun dy këngëtarët në këtë moment kanë bërë një trajektore spektakolare, qoftë si këngëtarë, ashtu dhe për lidhjen mes tyre të publikuar tashmë në media, si të dashur. Për Albanin ishte e paimagjinueshme të qenit prezantues, një djalosh romantik, në sytë e të rinjve këngëtari më shumë duket si i tërhequr, indiferent ndoshta dhe pak pasiv. Ndërsa Miriami, energjia e saj tashmë dihet, po ashtu ambicia e saj për të qenë një vajzë spektaklesh është e njohur. Në Gjermani, vendi ku Cani jeton, realizon dy emisione ekrani, formate muzikore që kanë qendër hitet më të mira. Gjithsesi për publikun shqiptar të dy këngëtarët kanë mbuluar faqet e mediave për historinë rozë të tyre, si çift simpatikësh, si këngëtarë të talentuar. Ndërsa për arsyen pse ata kanë pranuar të jenë prezantues të dy bashkë, duket më shumë një sfidë me fjalën, komunikimin koefindent me publikun - ndryshe nga pasionet që u jep kënga. Me kaq mund të mjaftojë portreti i paautorizuar për dy këngëtarët, kur priten të zbulohen nga organizatorët se cilët do të jenë elementët e spektaklit që do të shoqërojnë festivalin.
Karremi për ta mbajtur të gjallë, atraktiv, festivalin dimëror të RTVSH-së dhe ndezjen e tij, sigurisht që e ka dhënë lidhja me Eurosong-un. Ndonëse në një moment kur rëndësia e këtij festivali nga zërat e mëdhenj evropianë ka rënë dhe lulëzimi i dikurshëm ka humbur, sidomos për ne vendet e Ballkanit, e veçanërisht Shqipërinë, vazhdon të jetë jo thjesht luftë “këngëtarësh”, por dhe luftë “bërrylash”, derisa të mund të shpresohet që të arrijë në një sfidë profesionistësh. A do ta garantojë sivjet këtë premisë festivali i RTSH-së? Fakti që emra sfidues të këngës së lehtë po rikthehen me një stil të natyrshëm, një e nga një, çdo vit e vërteton këtë. Por, prova që bëri Ledina Çelo zhgënjeu shqiptarët, në krahasim me suksesin që kanë pasur Anjeza Shahini, apo vitin që kaloi Kejsi Tola, të vetmet që i siguruan Shqipërisë vendin për në finale, pa iu afruar ndonjëherë kryesimit. Pra prova me të rinj e të vjetër ka mbaruar. Tani mbetet eksperimentimi. Për këtë arsye ndoshta gjejmë në listën e këtij viti konkurrimet e BIG-ve. Nga njëra anë do të përfaqësohen me kompozimet e tyre krijues si; Agim Krajka, Alfred Kaçinari, Edmond Zhulali, Endri Sina, Adrian Hila, Gjergj Jorgaqi etj. Disa prej këtyre krijuesve ua kanë besuar këngët "Të rinjve", kështu quhet kategoria e zërave që këndojnë për herë të parë në festival. Kurse disa të tjerë si Ardit Gjebrea, Pirro Çako, Bojken Lako, Kristi Popa etj., ia kanë besuar këngët e tyre artistëve më me përvojë. Këngëtarët interpretues janë të ndarë në mënyrë të barabartë - 19 janë të rinj dhe 19 këngëtarë me përvojë. Duket se ndeshja e sivjetme nuk ka të bëjë me këngëtarët, por me kompozitorët- aty ku muzika shqiptare po rreket prej 20 vjetësh të çlirohet nga hibridizimi i saj.