Edhe një herë për identitetin dhe tranzicionin shqiptar
Tema i identitetit dhe e tranzicionit shqiptar është ende e lidhur me procesin aktual të zhvillimit tonë si popull që me këmbëngulje aspirojmë të bëhemi pjesë e popujve të familjes evropiane. Këto dy tema janë tema të rëndësishme për të kuptuar në fakt rrugën nëpër të cilën kemi kaluar dhe atë që do të bëjmë në të ardhmen. Ndoshta këto dy tema sqarojnë njëra-tjetrën në mënyrë të natyrshme. Studimi dhe analiza e këtyre dy temave do të hidhte dritë dhe do t’i paraprinte një politike largpamëse të së ardhmes së popullit shqiptar. Në studimin më të fundit të Piro Mishës “Arratisja nga burgjet e historisë. – ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar?” këto dy tema janë shkas për një analizë sa historike aq edhe kulturore dhe psikologjike mbi dukuri e fenomene që kanë shoqëruar formimin e kombit dhe shoqërisë sonë në rrjedhë të kohës.
Duke analizuar çështjen e formimit të identitetit kombëtar shqiptar që nga Rilindja e deri në ditët e sotme autori nënvizon dilemat dhe peripecitë e orientimit si një vend me trashëgimi të fortë nga pushtimi osman që gjendej shumë afër Evropës, por që rrezikonte të mbetej Orient me gjithë përpjekjet e shkrimtarëve intelektualëve, dhe një pjese të politikanëve për ta kërkuar modelin e jetës së shoqërisë shqiptare tek modeli evropian. Siç thotë autori: shqiptarët kishin nisur rrugëtimin e tyre për të bërë një kapërcim të madh në kohë e në hapësirë, nga Mesjeta në kohën moderne, nga Azia në Evropë.
Gjatë esesë studimore “ǒdo të thotë të jesh shqiptar” shfaqet një e vërtetë e hidhur që lidhet sa me faktin e pushtimit osman aq edhe me paaftësinë e shoqërisë shqiptare dhe e elitës së saj politike kulturore për të kapur ritmin e kohës së humbur pas shpalljes së pavarësisë: për t’u bërë pjesë e familjes evropiane që synojmë ende sot. Misha në kuptimin pozitiv çmitizon një pjesë të propagandës romantike patriotike, duke i parë dukuritë dhe fenomenet shqiptare me realizëm, me atë realizëm që i nevojitet edhe shkencës historike apo letërsisë shqiptare sot ku mbizotëron idealizimi dhe pompoziteti.
Misha e sheh formimin e identitetit kombëtar, shtetit shqiptar dhe shoqërisë shqiptare të paktën nga vitet ‘30 të shek. XIX, si një proces kompleks të lidhur me proceset ballkanike dhe evropiane, ku roli i Perëndimit është përcaktues në ekzistencën e shtetit shqiptar. Një pjesë të përgjegjësisë për prapambetjen e tij për autorin e kemi vetë ne shqiptarët. Siç thotë me të drejtë Konica: “E vërteta është se kemi shumë armiq, po m’i madhi e m’i keqi armik i Shqipërisë është vetë shqiptari...”
Herë pas here autori e thekson pengun e vonesës e cila i shtrin kthetrat deri në ditët tona, ku ende me situatën e sotme politike i shërbehet vonesës drejt destinacionit tonë të përbashkët: Evropa. Pushtimi i gjatë osman e la Shqipërinë shekuj pas popujve të Evropës, por edhe të Ballkanit, pastaj kjo vonesë thellohet edhe më tej nga paaftësia e klasës politike shqiptare pas shpalljes së pavarësisë apo në vazhdim me regjimin e Zogut, sistemin komunist, ku vonesa shndërrohet në izolim total, ndalim në vend. Pse vallë, pyet Misha, pikërisht ne ishim vendi i fundit evropian që arriti të ndahej nga komunizmi? Për autorin, një sërë tiparesh të trashëguara me gjasë nga një e kaluar e ndryshme nga ajo e pjesës më të madhe të popujve të tjerë evropianë janë shkaku i shumë prej kundërthënieve dramatike që vazhdojnë të karakterizojnë mënyrën e sjelljes dhe të menduarit të shqiptarëve duke e vështirësuar aq shumë integrimin e tyre në botën moderne. (f. 119.)
Fatkeqësisht, si pasojë e paaftësisë së klasës politike të këtyre nëntëmbëdhjetë viteve jemi ende vendi i fundit së bashku me Bosnjën akoma tek dera e jashtme e oborrit të shtëpisë së Evropës. Në librin e tij Piro Misha nuk lë pa vëzhguar edhe tendencat dhe diskutimet e tranzicionit rreth orientimit të Shqipërisë, që kulmojnë me qëndrimet e Rexhep Qoses dhe Ismail Kadaresë, ku Qosja mbron Shqipërinë asnjanëse dhe Kadare Shqipërinë evropiane. “Megjithatë, - Shqipëria, - konkludon autori, - tashmë e ka bërë zgjedhjen e saj. Për pjesën dërmuese të shqiptarëve modernizimi dhe zhvillimi i shoqërisë është diçka e pandashme nga oksidentalizmi (evropianizimi) dhe demokratizimi i saj” (f. 139).
Por siç vë re Misha, problemi qëndron tek mospërputhja mes vegimit se si duhet të ishim dhe si jemi ose mospërputhja mes modelit të idealizuar evropianoperëndimor dhe realitetit te përditshëm. Madje, këtu Misha gjen edhe burimin e shumë prej kontradiktave dhe paradokseve të tranzicionit dhe individit shqiptar të gjendur ndërmjet trashëgimisë së të shkuarës dhe vizionit të fuqishëm të së ardhmes evropiane. Në një gjendje të tillë njeriu shqiptar i tranzicionit siç e thotë autori i “Arratisja nga burgjet e historisë”, e ka të vështirë t’u përgjigjet pyetjeve: “Kush jam unë? Kush jemi ne? Pse vazhdojmë të mbetemi mbrapa të tjerëve?”
Në pjesën e dytë të librit: “Përsiatje gri për një tranzicion” përfshihen kryesisht analiza dhe shqyrtime të fenomeneve dhe paradokseve nga më të zakonshmet deri te ato më delikatet, pas viteve ’90, të tranzicionit shqiptar ku nga përvoja dramatike e diktaturës së ashpër, vendi luhatej herë-herë drejt anarkisë dhe kaosit deri mungesës së shtetit; nga mungesa e pluralizmit shkohej drejt një kaosi politik, nga ndalimi i besimit fetar rrezikohej drejt ekstremizmave fetarë, dukuri që e vonuan edhe më shumë ecjen dhe përparimin, tranzicionin. Me të drejtë, thotë autori, shqiptarëve u duhej bërë e qartë që në krye të herës se rrëzimi i komunizmit dhe dalja nga izolimi ishin vetëm një hap sado i rëndësishëm, në drejtimin e duhur, por që s’do të thoshte se ishte kapërcyer si me magji ai hendek tepër i madh i krijuar gjatë shekujsh, që na ndante nga pjesa tjetër e Evropës. Për autorin klasa politike e kësaj periudhe ka përgjegjësinë e saj të madhe për vonesat dhe paaftësinë për të shpejtuar ritmet e zhvillimit të vendit dhe hapave që do ta shkurtonin distancën me Evropën. Misha nënvizon edhe në esetë e kësaj pjese përcaktimin evropian të shqiptarëve pavarësisht nga besimet fetare, duke qenë kritik dhe denoncues ndaj tezave dhe qëndrimeve që përpiqen të projektojnë destinacione të tjera duke goditur deri edhe simbolet kombëtare shqiptare siç ishte rasti i fushatës së H. Ferajt dhe disa “patriotëve” të tjerë nga vitet 1998 për të rishkruar një variant të ri kryeposhtë të historisë së popullit shqiptar.
Janë të shumta shqetësimet e autorit lidhur me problematikën e ngjeshur të tranzicionit shqiptar, të cilën ai e ka përjetuar si qytetar i këtij vendi, por përmes këtij libri na shfaqet qëndrimi intelektual kurajoz dhe i pakompromis në diskutimin siç do thoshte Mid’hat Frashëri të “plagëve tona”. Si lloj i shkrimit eseistik studimor esetë e Piro Mishës ruajnë dhe zhvillojnë në aspekte të formës së shkrimit por edhe të përmbajtjes: historike kulturore, tipare të shkrimit eseistik të Konicës, M. Frashërit, B. Merxhanit, si shkrim në të cilin sintetizohen qëndrimi intelektual, erudicioni i gjerë dhe mprehtësia e analizës së fakteve jetësore e historike.