E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: QKL, një hap përpara në përmirësimin e klimës me biznesin



Qendrat e Licencimit vijnë akoma më pranë sipërmarrësve të rinj, duke zgjeruar rrjetin e shërbimeve në qytetet kryesore të vendit. Falë një marrëveshjeje të arritur mes Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), rrjeti tashmë i ngritur i QKR-së do të vihet në dispozicion të qytetarëve edhe për dhënien e licencave jo vetëm në Tiranë. Në aktivitetin e organizuar dje në ambientet e QKL-së me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje shumë të rëndësishme për biznesin, mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti. Gjithashtu të pranishëm ishin drejtorët e Përgjithshëm të QKR dhe QKL, Tomi Kola dhe Eneida Guria, kryetarët e Bashkive të Shkodrës, Korçës dhe Vlorës, përkatësisht Lorenc Luka, Niko Peleshi dhe Shpëtim Gjika, zyrtari i Programit të USAID-it, Sean Huff, si edhe përfaqësues të biznesit. Kjo marrëveshje bashkëpunimi do të bëjë të mundur që sportelet e QKR-së të shërbejnë dhe për shërbimet e licencimit të biznesit. Korça, Shkodra dhe Vlora janë të parat qytete ku do të fillojnë të funksionojnë sportelet e licencave. Bashkimi në një vend i të dy sporteleve, jo vetëm që do të kursejë shpenzime të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, por edhe do t’i sigurojë lehtësira shtesë bizneseve. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, vuri në dukje kontributin e rëndësishëm të qendrave të shërbimit me një ndalesë për regjistrimin dhe licencimin e bizneseve në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, një kontribut i evidentuar dhe në raportin “Të bërit biznes” nga Banka Botërore, ku renditja e Shqipërisë për sa i përket fillimit të një biznesi – i cili lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e QKR-së dhe QKL-së – ka pësuar një ngritje nga vendi 123 në të 46-in nga raporti 2008 në atë 2010. Veç të tjerash, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, tha se tashmë është akoma edhe më e lehtë për të marrë një licencë për biznesin. “Mes Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit nënshkruhet kjo marrëveshje bashkëpunimi për t’u përdorur infrastruktura e QKR-së, pra të njëjtat sportele dhe zyra, për të bërë edhe shërbimin e qendrës kombëtare të licencimit”, - u shpreh ministri Prifti. Brenda kësaj qendre, brenda këtij sporteli të vetëm sot ofrohen rreth 65% e të gjitha lejeve dhe licencave që jepen në Shqipëri për të hapur një biznes. Deri dje këto leje dhe licenca janë dhënë nëpër institucione të ndryshme të shtetit shqiptar. “Ne, për të lehtësuar gjithë punën e biznesit, për të marrë këto leje e licenca, i kemi grumbulluar në një sportel të vetëm”, - tha kreu i METE-s. Zoti Prifti ka siguruar se brenda këtij viti do të ngrihen edhe qendra të ngjashme licencimi për sektorin e energjetikës dhe atë minerar. Në këtë drejtim, bizneset kudo në Shqipëri së shpejti do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e aplikimit për licenca me një ndalesë më pranë tyre, duke shënuar kështu një arritje të rëndësishme që do ta bëjë më të lehtë kryerjen e biznesit në Shqipëri.

QKL-ja dhe QKR-ja janë dy institucione të ngritura me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, si nisma të qeverisjes elektronike që u kursejnë investitorëve kohë të vlefshme në hapjen dhe zhvillimin e biznesit të tyre, ndërkohë që rrisin transparencën dhe zvogëlojnë mundësitë për korrupsion.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›