"Albanopolis", qyteti i harruar në hartat e turizmit
Rruga drejt qytetit antik është një rebus i vërtetë dhe tymi i gomave që digjen është orientimi më i mirë
TIRANË- Prej dy vitesh Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve iu paguan shuma të konsiderueshme kanaleve televizive më në zë të botës, për promovimin e turizmit vendas, duke e konsideruar atë si një burim të rëndësishëm të të ardhurave. Ndërkohë, në mëyrë të vazhdueshme, në sy të vizitorëve vendës dhe të huaj digjen pa kriter sasi të mëdha gomash të përdorura, madje edhe afër zonave historike. "Ne pretendojme të jemi një vend që ka prioritet turizmin. Kështu që duhet t'i japim vendit një profil tillë. Do të ishte një tmerr i vërtetë në qoftë se do të shikohej të digjeshin goma në ambient të hapur në zona turistike të vendeve përreth nesh, si Mali i Zi dhe Kroacia, të cilat ashtu si Shqipëria kanë prioritet turizmin", -thotë ekologjisti Lavdosh Ferruni.
Krahas ambientit të ndotur, një arsye tjetër që do ta bënte një vizitor të huaj të mendohej dy herë para se të vizitonte vendin tonë, do të ishte mungesa e tabelave orientuese drejt destinacioneve që mund të përfshihen në itinerarin e tyre, por edhe pasaktësia e tyre. Megjithëse thonë se duke pyetur gjen Stambollin.
Një shembull i tillë është qyteti antik i Albanopolisit, që gjendet në Veri-Lindje të qytetit të Fushë-Krujës. Nëse merr mundimin për të vizituar këtë vend, në hyrje të fshatit do të përballesh me një tabelë, e cila të thotë një destinacion që nuk ka të bëjë farë me këtë qytet. "Qyteti antik i Zgërdheshit", shkruhet në të. Ndërkohë, që vetëm disa metra më tej pasi ke pyetur disa banorë të zonës për vendin ku je nisur, me në fund të shfaqet muri i lokalit të fshatit, në të cilin me bojë të zezë shkruhet drejtimi për në qytetin antik të Albanopolisit.
Por, më shumë e mundimshme se gjetja e vendndodhjes së qytetit do të jetë eksplorimi i tij. Për të parë qytetin të duhet të kacavirresh mbi gardhet e fshatarëve të zonës, të cilët e kanë "ndarë" qytetin e lashtë në parcela të veçanta për të kullotur bagëtinë.
E nëse merr mundimin të kalosh edhe këto "fortifikime", përballë të shfaqen muret antike, të mbuluar në një sipërfaqe të konsideueshme me gjemba dhe ferra, të cilat nën vete varrosin mijëra vite histori. Banorët e zonës shprehen se, as pushteti lokal dhe as ai qendror asnjëherë nuk kanë treguar interes për promovomin e këtij vendbanimi përveç disa inciativave individuale nga persona të apasionuar pas arkeoligjisë.