Policia Rrugore, 14 mijë masa që nga fillimi i vitit
TIRANË
Numri i lartë i aksidenteve të ndodhura gjatë ditëve të fundit, ku për pasojë janë shënuar dhe vdekje tragjike, ka bërë që Komisariati i Policisë Rrugore në kryeqytet të rrisë masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre drejtuesve të automjeteve që shkelin normat e qarkullimit rrugor. Por jo vetëm masat ndëshkuese për shoferët, por ka patur edhe shërbim më të përforcuar nga efektivat e Policisë Rrugore, për të parandaluar numrin e lartë të aksidenteve rrugore, që janë kthyer në një kërcënim serioz për jetën e njerëzve. Nisur nga numri i lartë i aksidenteve me pasojë vdekjen të ndodhura jo vetëm në superstradën Tiranë- Durrës, por edhe në segmente të tjera rrugore, shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në Policinë e Tiranës, kanë vendosur vetëm për një javë 14 000 masa administrative ndaj shoferëve që kanë shkelur normat e shpejtësisë, kanë kryer parakalim të gabuar, nuk kanë vendosur kaskën mbrojtëse, për mos vendosje të rripit të sigurimit, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe për mos respektim të sinjalistikës rrugore. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit, bënë të ditur se vetëm gjatë paradites së djeshme janë vendosur rreth 136 masa ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve, ku është konstatuar se shumë prej tyre po ecnin me shpejtësi mbi 120 km/orë. Masat ndëshkuese që shkojnë që me bllokimin e patentës apo edhe të mjetit do të vazhdojnë me intensitet të lartë edhe në ditët në vazhdim, për t'u kujtuar shoferëve se duhet të jenë më të kujdesshëm kur ngasin makinën e tyre. Sipas policisë, një numër i konsiderueshëm aksidentesh shkaktohen nga drejtues motorësh që e përdorin këtë të fundit pa targa. Nga hetimet e Policisë së Tiranës, rezulton se drejtuesit e këtyre mjeteve të pa targuara dhe të pa identifikuar janë autorë të grabitjeve të pasurisë së qytetarëve apo dhe ngjarjeve të tjera kriminale.