E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e tabelave, shkak për aksidentet

Mungesa e sinjaleve në rrugë është një ndër shkaqet kryesore që bëhet burim aksidentesh. Vetëm për muajin korrik kanë ndodhur 33 aksidente, ndërkohë që nga fillimi i vitit 2009-të janë bërë 148 të tilla. Në shumë rrugë të Shqipërisë, por edhe në dalje të kryeqyetit ka mungesë të tabelave orientuese, semaforëve, por ajo e cila është më shqetësuese është mungesa e sinjalistikës në rrugë të cilat janë ndërtuar apo rikonstruktuar sipas standardeve bashkëkohore, por që nga ana tjetër mirëmbajtja e tyre nuk bëhet në kohën e duhur. Para disa ditësh edhe vetë drejtori i përgjithshëm i qarkullimit rrugor në një intervistë për "Ora News" u shpreh se një ndër shkaqet kryesore të aksideneteve është mungesa e sinjaleve në rrugë. Vetë kamera e "Ora News", bëri një vëzhgim nëpër disa nga rrugët të cilat mbajnë mbi vete aksidentet më të shumta. Kështu një ndër rrugët e cila ka rreth dy vjet që është rindërtuar është ajo e cila të çon në Kamëz. Disa nga problemet të cilat u evidentuan në këtë rrugë janë mungesa e tabelave, një automjet nuk udhëzohet nëse duhet të vazhdojë drejt apo ka edhe të drejtë që të kthehet majtas apo djathtas dhe tabelat e tjera që duhet të tregojë shpejtësinë me të cilën ato duhet të qarkullojnë, problemi tjetër mbeten këmbësorët për të cilët nuk asnjë semafor që t'i drejtojë se kur duhet të kalojnë rrugën dhe një ndër sinjalet e tjera të cilat nuk ekzistojnë janë vijat orientuese të cilat ndajnë korsitë, apo tregojnë që rruga është me një ose dy kalime.
Zyra Qendrore e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve e përbërë nga një personel prej 93 punonjësish, menaxhon 7 Drejtori Rajonale dhe 28 Drejtori në Rrethe dhe numri total i punonjësve është 1000 vetë. Që prej vitit 2005 kjo drejtori ka operuar dhe kryer detyrat e saj duke u bazuar në një buxhet total prej 13 milionë USD, por sinjalet në rrugë të cilat janë edhe burimi kryesor i aksidenteve ende nuk janë zbatuar siç duhet edhe pse fondi që ato kërkojnë nuk është i njëjtë me ndërtimin e një rruge.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›