Pensionet, ish-ushtarakët çojnë qeverinë në Kushtetuese
"Ligji i ri ka shënuar regres, duke hequr disa përfitime të siguruara në ligjet e miratuara më parë"
Ligji për sigurimet suplementare është ankimuar nga ish-ushtarakët. "Pensioni i parakohshëm ulet 2-3 herë"
TIRANË- Ish-ushtarakët kundërshtojnë ligjin për pensionet suplementare, për të cilin ata shprehen se do të rëndonte edhe më tej statusin dhe gjendjen e tyre ekonomike. Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit dhe shpalljen te tij të papajtueshme me Kushtetutën e vendit.
Presidenti i saj, Mehdi Pogaçi, thotë se miratimi nga parlamenti i ligjit për pensionet suplementare të ushtarakëve në radhë të parë shkel parimin e sigurisë juridike sipas të cilit, çdo ligj i miratuar medoemos duhet të jetë më i mirë se i mëparshmi.
"Ky ligj përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës, pasi mohon disa të drejta që ne i kishim fituar me anë të ligjeve që janë miratuar vite me parë. Në vend që të përmirësohej, ligji i miratuar më datë 15 maj nga Kuvendi i Shqipërisë ka shënuar regres duke shkelur parimin e sigurinë juridike, i cili është një nga parimet më të rëndësishme në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës",- u shpreh Pogaçi.
Një pikë tjetër tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se, sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë. Ndërkohë, që në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë argumenton se e drejta e punësimit të tyre është sanksionuar një herë në nenin 35/2 të ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004 "Për pensionin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", sipas të cilit, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rastin e punësimit të përfituesit. Ish-ushtarakët thonë se nëse ky ligj nuk pezullohet nga Gjykata Kushtetuese, atëherë masa e pensionit të parakohshëm përcaktuar edhe në ligjin organik të vitit 2004 do të ulet dy deri në tre herë. "Dispozitat e një ligji që është miratuar me dy të tretat e votave në parlament nuk ka se si të ndryshohet me një votim me shumicë të thjeshtë", -vijon më tej Pogaçi.
Duke argumentuar pretendimin se përse ky ligj përkeqëson dhe cënon integritetin ekonomik të ish-ushtarakëve, SHKURSH-ja bën një ballafaqim midis dispozitave ligjore të ligjit të kundërshtuar prej tyre dhe atij nr. 9418, datë 20.5.2005 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë".
"Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt.
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast nuk duhet të jetë më i madh se 50% të pensionit të pleqërisë.
Ndërsa në nenin 16 të ligjit në fjalë masa e pensionit suplementar ndryshohet me 1 për qind për çdo vit vjetërsi shërbimi",- citohet në kërkesën drejtuar Kushtetueses. Kjo është hera e dytë që ish-ushtarakët i drejtohen Gjykatës Kushtuese për të kundërshtuar dispozitat ligjore që shkelin të drejtat e tyre. Herën e parë, kjo gjykatë ishte shprehur në favor të ish-ushtarakëve, ndërsa ishte qeveria ajo që nuk e zbatoi vendimin e dhënë.
Duke qenë i sigurt që edhe kësaj herë e drejta do të jetë në favor të ish-ushtarakëve, Presidenti i SHKURSH-ja, shprehet se nëse shteti shqiptar nuk e çon në vend vendimin e gjykatës, këta të fundit do t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.
Ligji i ri për sigurimet suplementare është dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe nga Avokati i Popullit. Ky institucion, pas ankesave të marra nga sindikatat dhe punonjës policie ka shqyrtuar ligjin e ri dhe kërkon pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e vendimit nga Gjykata, si dhe shfuqizimin e disa neneve të tij.
Argumentet që Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë i.............................. ka Gjykatës Kushtetuese.
-Shkel barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe diskriminon një kategori të caktuar ushtarakësh, në krahasim me grupe të tjera ushtarakësh, duke mohuar një të drejtë të fituar më parë me ligj. Përsëri bëhet ndarja në dy grupe ushtarakësh për pensionin e parakohshëm, në ata që kanë paguar 2% (pas vitit 2006) dhe dhe në ata që nuk kanë paguar (para vitit 2006).
-Shkel parimin e sigurisë juridike lidhur me masën e pensionit të parakohshëm. Kjo e drejtë është sanksionuar njëherë në nenin 35/1 të ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004, në të cilin është përcaktuar se:
"Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 % të pagës mujore deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë.
Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm ushtarakut i jepet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore".
-Neni 29, pika 3, ligji nr.10142 date15/05/2009, merr fuqi prapavepruese në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, duke i hequr çdo ushtaraku të drejtën e ankimimit dhe të kërkesës në rrugë gjyqësore të të drejtës së shkelur, prej datës 01.01.1999 deri në kohën e fyrjes në fuqi të këtij ligji
-Ky ligj u mohon ushtarakëve disa të drejta të fituara jo vetëm me ligjet e mëparshme, por edhe me vendime te formës së prerë të gjykatave.
-Dispozitat ligjore të nenit nr. 28, pika 3 të ligjit diskriminojnë kategorinë e qytetarit ushtarak në krahasim me qytetarët e tjerë të republikës së Shqipërisë. Konkretisht neni përcakton: "Përfitimet e caktuara por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për një vit". Ndërsa në ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005, përcaktohet se : "Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë". Pra ky ligj i jep të drejtën e përfitimit të të gjitha përfitimeve të papaguara, që në castin e lindjes të së drejtës.
-Ligji, u mohon kontributin dhe të drejtën e pensionit suplementar te pleqerise, atyre ushtarakëve që kanë vjetërsi shërbimi më pak se 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, të njohur me ligjet e mëparshme, ndërkohë që ua njeh këtë të drejtë atyre ushtarakëve që janë dënuar për motive politike, duke krijuar përsëri pabarazi përpara ligjit dhe duke cënuar parimin e sigurisë juridike.
-Dispozita ligjore e nenit nr.27 e ligjit Nr.10142, date 15/05/2009, krijon një element të ri të luftës së klasave, pasi u heq ushtarakëve të liruar apo në pension, të drejtën e pensionit për vjetërsi shërbimi dhe kontributet e tij në shërbimin ushtarak, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim.