Albin Kurti:”Vendnumërimi” i Serbisë drejt BE, në interes të shqiptarëve

Kreu i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi që Serbia të mos marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është lajm i mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, Kurti tha se Kosova duhet të zbatojë masa të ndërsjella politike dhe ekonomike me Serbinë e cila me asgjë nuk e ka ndryshuar qasjen e saj ndaj Kosovës.
“U bë shumë mirë që Serbia nuk e mori statusin e vendit kandidat. Është e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, nëse Serbia avancon në integrime evropiane para nesh, sepse ajo ëndërron që t`ua bëjë shqiptarëve atë që Greqia ia bënë Maqedonisë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk ka vend për entuziazëm të madh, meqenëse Serbisë vetëm i është shtyrë për tre muaj statusi i vendit kandidat”.
“Nëse shqiptarët si institucione, si shoqëri si komb, kudo që janë, punojnë shumë, atëherë ne do të mund t`ia shtyjmë sërish Serbisë statusin e vendit kandidat, sepse besoj që angazhimi jonë është i rëndësishëm. Mos harroni se shqiptarët janë e vërteta e Serbisë, e tillë çfarë e kemi njohur gjithmonë, pra një teokraci militariste, e cila e prodhoi Milloshevicin e sot prodhon milloshevic të tjerë më të sofistikuar”, tha Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se shqiptarët janë për integrime evropiane, porse integrimet e jashtme të shqiptarëve, sipas tij nuk mund të zëvendësojnë integrimin e brendshëm të tyre. “Mendoj që shumë ka rëndësi se sa të fuqishëm do të jemi kur të hyjmë një ditë në BE, sepse varësisht nga kjo do të kemi edhe pozitë më pak të mirë apo më shumë të mirë kur të jemi anëtarë të familjes së madhe evropiane. Në këtë kuptim, është e domosdoshme që si shtete, si komb shqiptar, si shoqëri shqiptare të faktorizohemi, në mënyrë që të jemi si komb dhe si shtet i përbashkët të fuqishëm në BE, e jo vetëm si individ që kanë të drejtë për qarkullim të lirë...”.
“Mendoj se është mirë të kemi liberalizimin e vizave, por ai nuk duhet të jetë kurrfarë shkaktari i ndonjë ekzaltimi tonin. Kur përparojmë si komb, kur përparojmë si shtet, përparojmë secili prej nesh... Pra, liberalizimi i vizave është një gjë shumë e mirë, mirëpo nëse çmimi për të kanë qenë bisedimet me Serbinë shoviniste për çështje të brendshme të Kosovës, atëherë ky është një çmim tepër i madh të cilin ne nuk duhet të pranojmë që ta paguajmë. Prandaj shqiptarët, duhet të kenë liberalizimin e vizave, por jo ta fitojnë atë duke dhënë funksionalitet të shtetit e duke dhënë territor të vendit”.
“Nuk mund ta bashkojmë Mitrovicën, duke u sjellë mirë më Serbinë, jo vetëm për shkak se përvoja na mëson që kush sillet mirë me Serbinë e bënë Serbinë më të keqe. Duhet një sërë veprimesh politike dhe të sigurisë dhe socio ekonomike në mënyrë që ta bashkojmë Mitrovicën, ta shtrijmë sovranitetin në veri dhe ta kemi integritetin territorial dhe të kufijve atje”, ka thënë ndër të tjera lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti.