Ishujt Falkland, Cameron i përgjigjet Argjentinës

Pak ditë pas deklaratës së presidentes argjentinase, Christine Fernandez, e cila akuzoi Britaninë e Madhe se nuk po respektonte një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për dialog me Argjentinën në lidhje me sovranitetin e Ishujve Falkland (të quajtura nga Argjentina, Malvinas), kryeministri britanik, David Cameron në një letër dërguar banorëve të këtyre ishujve me rastin e Krishtlindjeve, u premton atyre mbështetjen e vendit të tij.
“Ne nuk do të ulemi kurrë në një tryezë ku do të diskutohet sovraniteti juaj. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Ju, populli i Ishujve Falkland e dëshironi një gjë të tillë. Kjo është e vetmja rrugë demokratike që ne do të ndjekim”, thuhet në letrën e Cameron për banorët e Ishujve Falkland.
Megjithatë, në letrën e tij, kryeministri britanik vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës duke u shprehur se, pavarësisht ndasisë lidhur me sovranitetin e Ishujve Falkland, marrëdhëniet e mira mes Britanisë dhe Argjentinës është në të mirë të të dy popujve.
Presidentja Argjentinase, Fernandez, gjatë fjalimit të saj në një samit të vendeve të Amerikës Latine u shpreh për një “betejë të përjetëshme” të Argjentinës për Ishujt Falkland, madje akuzoi Londrën se është e gatshme të bëjë luftë me cilindo shtet sovran për të shfrytëzuar burimet natyrore të tij.
Ishujt Falkland ndodhen nën kontrollin e “Kurorës” që prej vitit 1830. Në vitin 1982 për sovranitetin e këtyre ishujve u zhvillua edhe një luftë e shkurtër, por e përgjakshme mes Argjentinës dhe Anglisë.