Albpetrol licence per transmetimin e gazit te TAP

Albpetrol së fundmi ka marrë edhe licencën për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP. Në fillim të kësaj jave Enti Rregullator i Energjisë i ka dhënë Albpetrolit lejen për aktivitetin e transmetimit të gazit dhe shpërndarjes së tij. Sipas burimeve nga ERE kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës ka aplikuar për licencë që në mars të këtij viti, ndërsa në fillim të kësaj jave, pas shqyrtimit të dokumentacionit, është vendosur për dhënien e lejeve për transmetimin e gazit me shumicë. Kjo leje i jep të drejtë kompanisë që do të privatizojë Albpetrolin të transmetojë dhe të shpërndajë gazin nga gazsjellësi TAP. Por kjo e drejtë në tregtimin me shumicë të gazit nuk do të jetë vetëm ekskluzivitet i kompanisë. Kjo është leja e dytë më e rëndësishme që Enti Rregullator jep ndaj kompanisë Albpetrol brenda një kohë shumë shkurtër. Muajin e kaluar kompania shtetërore e naftës mori edhe lejen si furnizues i kualifikuar i energjisë elektrike me shumicë dhe gjithashtu edhe lejen për tregtimin e kësaj energjie. Me këtë leje kompania mund të blejë direkt energjinë nga rrjeti i transmetimit pa hyrë në marrëdhënie me CEZ. Madje me këtë leje kompania mund të blejë energji nga jashtë dhe mund ta shesë atë në tregun vendas. Gjatë këtij viti qeveria dhe institucionet në varësi të saj kanë dhënë një seri lejesh të rëndësishme ndaj Albpetrolit, me qëllim rritjen e vlerave në prag të privatizimit. Me dhënien e këtyre lejeve Albpetrol bëhet më atraktiv ndaj investitorëve dhe për pasojë pritet një çmim më i lartë gjatë shitjes së tij.