Shtohen financueset per ndertimin e TAP

Dy kompanitë më të mëdha botërore të hidrokarbureve, BP dhe Total kanë firmosur një marrëveshje me kompaninë e Azerbajxhanit Socar për të financuar realizimin e gazsjellësit të TAP. Sipas njoftimit më të fundit të konsorciumit kjo marrëveshje parashikon se të tre kompanitë mund të blejnë deri në 50% të kapitalit të projektit, që aktualisht ka si aksionere të tjera zviceranen Egl, kompaninë norvegjeze Statoil dhe gjermanen E.ON Ruhrgas. Investimi i Bp, Total e Socar do të kontribuojë në drejtimin e punës së vazhdueshme në disa fusha të rëndësishme gjatë gjithë periudhës që do të vijojë nga vendimi final e deri në përfundim të projektit që pritet në vitin 2013. Sipas drejtorit menaxhues të TAP, Kjetil Tungland, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të rëndësishme është një votë më shumë për besimin në cilësinë e zgjedhjeve teknike e tregtare që TAP ka zgjedhur me aktorët e industrisë kryesore, gjithashtu forcon edhe njëherë mbështetjen e bashkëpunimit që u nënshkrua mes TAP dhe Shah Deniz në muajin qershor. Bashkëpunimi ynë me Shah Deniz, thotë drejtori i TAP, tashmë është edhe më afër dhe ka një ndikim edhe më të gjerë. Marrëveshja jep një siguri më shumë për rezultate pozitive në përfundimin e kësaj vepre të madhe të korridorit të Jugut. Ecuria e deri tanishme e projektit duke parë edhe marrëveshjet e tjera ndërqeveritare të suksesshme mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë e bën projektin TAP të jetë më konkurrues dhe ndoshta fitues të garës ndaj konkurentes tjetër Nabuço për transportimin e gazit nga Deti Kaspik drejt Europës.