Shqiptaret u ri kthehen serish kooperativave bujqesore
Një ligj i ri dhe nxitje nga ana e dikasterit zyrtar të bujqësisë pritet të rikthejë sërish kooperativat bujqësore. Ligji, i miratuar në maj synon bashkiminim e fermerëve në shoqëritë e bashkimit bujqësor, të cilat do të veprojnë si njësi të përbashkëta në aktivitetin e tyre. Tatjana Dishnica, Drejtore e Shërbimit Këshillimor, Kërkimit dhe Informacionit në ministrinë e bujqësisë, thekson se krijimi i kooperativave sjell një kosto të ulët prodhimi dhe prodhime më të lira e cilësore.
Dishnica i bën thirrje fermerëve që të bëhen pjesë e kësaj iniciative pasi koncepti i kooperativave të sotme është krejt ndryshe nga ai i para viteve 90. Ndërkohë që deklaron se një sërë masash lehtësuese i ofrohen këtyre kooperativave.
Aktualisht në të gjthë vendin janë regjistruar 120 shoqata të cilat janë të fokusuara në mbjelljen e perimeve, frutikulturës apo blegtorisë dhe të cilat synojnë të kthehen në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, ose kooperativat. Brenda këtij viti pritet që Ministria e Bujqësisë të nisë takime në rang vendor për të sqaruar thelbin e kooperativave dhe procedurat që duhet të ndiqen për krijimin e tyre.