Albright: Ajo që kemi bërë në Kosovë ishte e drejtë

Ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, deklaroi se ndërhyrja në Kosovë në vitin 1999 ishte e drejtë, për të bërë të mundur ndalimin e spastrimit etnik. Deklarata e saj është bërë gjatë një interviste për numrin e sotëm të javores çeke Tyden.
“Besoj në paqe, por nuk jam pacifiste. Mendoj se ndonjëherë duhet ta përdorni dhunën për t`i ndalur vrasjet. Tani ekziston doktrina e përgjegjësisë për të mbrojtur, pasi qeveria duhet t`i mbrojë njerëzit e vet, e nëse këtë nuk e bënë, atëherë këtë duhet ta bëjë bashkësia ndërkombëtare, që nuk do të thotë se çdoherë duhet bërë me forcë” tha ajo.
E pyetur për çështjen e privatizimit të Telekomit të Kosovës, ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha:
“Tani nuk mund të flasë për këtë sepse jemi në mes të këtij procesi, por ne investojmë prej shtatë vitesh edhe në vende të tjera, në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, në tregjet e ndryshme në zhvillim, ku mungon infrastruktura. Këtë e bëjmë për të ndihmuar”.
Deklaratat e Albgirht u bënë me rastin e daljes në shitje të librit të saj të ri “Dimri i Pragës”.