E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Dialogu politik, i domosdoshëm

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka deklaruar se është e domosdoshme të diskutohet në nivele politike me Beogradin, pasi përfaqësuesit e komunave veriore nuk kanë legjitimitet. Sipas tij, lëvizja e lirë në veri të Mitrovicës është shpresë për stabilitet në këtë pjesë. Ndërsa, për koalicionin e mundshëm me AAK-në, ai thotë se Qeveria kosovare është e hapur.
 

"Si shtet fqinj ne e kemi obligim që të realizojmë disa standarde evropiane, të bashkë fqinjësisë si dy shtet të pavarura dhe sovrane, natyrisht që në pjesën veriore ende ka probleme dhe në rend të parë siguria, sundimi i ligjit dhe përfaqësuesit që janë në komuna nuk kanë legalitet, prandaj duhet që me përfaqësuesit legalë të tyre. Natyrisht që kjo është punë e brendshme e Institucioneve të Kosovës, që të kemi përmirësim dhe perspektiv të atyre qytetarëve drejt integrimit si qytetarë të Kosovës. Nga njëherë është e domosdoshme të diskutohet edhe në nivele politike. Unë nuk jam njeriu kompetent që tash të flas, se si do të duket apo çka do të jen këto bisedime të nivelit politik" ka thënë Rexhepi .
 

Sipas ministrit Rexhepi, Beogradi gjithnjë ka menduar që të mos dalë humbës me Kosovën, duke pasur kështu si opsion ndarjen e pjesës veriore, megjithatë, ai ka siguruar se nuk do të ketë ndarje e as bisedime për çështjet e brendshme të Kosovës.
 

"Qëndrimet tonë janë shumë të qarta edhe të faktorit ndërkombëtar edhe të institucioneve tona që nuk do të ketë ndarje. Nëse ka pasur një rrezik për ndarje, kjo ka qenë në kohën e kryeministrit Gjingjiq. Në atë kohë ka pasur edhe shtete të cilat e kanë përkrahur këtë alternativë. Mirëpo ajo kohë ka kaluar, dhe i dini edhe dhe ato katër principet e grupit të kontaktit, ku njëri prej tyre thotë se nuk ka ndarje. Kështu i tërë faktori ndërkombëtarë dhe institucionet tona nuk e pranojnë një gjë të tillë. Ndarja si opsion më nuk është temë e bisedës", ka thënë ai.
 

Ai ndalet edhe te gjendja në veriun e Kosovës, e cila sipas tij, me gjithë incidentet e fundit është stabile. Rexhepi, thotë se edhe pse ka mundur të bëjë më shumë, KFOR- e kryen punën në veri, kurse EULEX-i, sipas tij në mungesë të lëvizjes së lirë, nuk ka qenë në gjendje ta përmbushë mandatin që ka.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›