Albright: Më vjen mirë që intervenuam në Kosovë

Në 11 vitet që nga koha kur ushtroi funksionin e sekretares amerikane të shtetit, një nga funksionet më të larta në administratën amerikane, Madeleine Albright, ka qenë profesore, është angazhuar në fushatat e demokratëve, gjyshe dhe themeluese e një firme ndërkombëtare këshilluese për biznes. Dhe ka qenë autore e librave për politikën kombëtare, marrëdhëniet e jashtme dhe koleksionit të saj të famshëm të karficave dhe kapëseve për zbukurim.
Tek së fundi Albright, e cila muajin e ardhshëm mbush 75 vjet, deklaroi se ka gjetur kohën dhe guximin për të trajtuar të kaluarën e saj të komplikuar. Si eposkopaliane, e rritur si e krishtere, ajo në moshën 59 vjeçare zbuloi-falë raportimit të një gazetari të Washington Postit dhe procesit të shqyrtimit për të shërbyer në administratën e Bill Clintonit-se prindërit e saj ishin hebrenj. Ajo gjithashtu zbuloi se me dhjetëra anëtarë të familjes së tij vdiqën gjatë Holokaustit, përfshirë edhe tre gjyshër në kampet e përqendrimit. I ati i saj, një ish-diplomat çek dhe nëna kurrë nuk ja zbuluan fshehtësinë familjare.
Në librin më të ri, "Prague Winter: A Personal Story of Remembrance and War, 1937-1948", të publikuar javën e kaluar, Albright shpalos se si ka hulumtuar dokumentet e paprekura, të cilat ja kishin lënë prindërit, se si ka vizituar lagjet në Çeki, në të cilat ka jetuar si fëmijë dhe ndoqi gjurmët, të cilat ndoqi familja e saj, e cila u vendos në Londër, e më pas në Denver, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Libri, pjesërisht përshkrim historik, e pjesërisht rrëfim personal, eksploatim se si udhëheqësit politik dhe familjet marrin vendime politike, për të jetuar më pas me pasojat.
E pyetur se pse nuk e ka shkruar këtë libër deri me tani, Albright u përgjigj:”Nuk kisha kohë. Në momentin kur po përpiqesha të bëhesha sekretare e shtetit, befas dolën në sipërfaqe të gjitha këto informata. Për këtë arsye dërgova motrën dhe vëllanë tim në Çeki, për të bërë hulumtime. Por madje edhe pasi që e vizitova edhe vetë qytetin e Terezinit, në vitin 1997, nuk pata kohë ta shkruaj librin deri në këtë moment”.
Albright më tutje theksoi se e vetmja gjë, të cilën do ta kishte dëshiruar tani, ishte që prindërit e saj të ishin gjallë, në mënyrë që të kishte mundësi të bisedonte me ta për të gjitha këto gjëra.
“Jam tejet krenare për rrënjët e mia çekosllovake, por identiteti im, është siç e përshkruaj tani: jam amerikane, jam nënë, jam gjyshe, jam demokrate, kame prejardhje hebrenje, isha e krishtere dhe episkopaliane praktikuese, jam një njeri që angazhohet për të drejtat e njeriut, jam njeri që beson në bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk jam në gjendje t;i ndajë disa gjëra”, theksoi Albright.
E pyetur për atë pjesë të librit, në të cilën ajo ka shkruar për vendimet morale të bëra nga familja e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe nga ajo personalisht, gjatë kohës sa ishte sekretare e shtetit, Albright theksoi:”Mendoj se shumë vendime që kam marrë kanë qenë vendime të mira. A pendohem për ndonjë gjë?
Mendoj se kam marrë vendimet e drejta. Jam mirënjohëse që jam gjallë, mendoj po të mos më kishin nxjerrë prindërit e mi nga Çekosllovakia, besoj se do të kisha vdekur. Shumë gjëra që më kanë motivuar, mendoj se kishin të bëjnë me besimin tim se duhej ta paguaja borxhin. Mendoj se pendohem për atë se nuk vepruam më shpejtë në Jugosllavi. Dhe me vjen mirë për atë që bëmë në Kosovë.
Pjesa e vështirë është se a duhet, për të ndalur spastrimet etnike, të përdoret fuqia ajrore, duke pasur parasysh se gjatë angazhimit mund të vrasësh shumë njerëz të pafajshëm? A është me vend të marrësh vendimin se do të sakrifikosh jetën e një njeriu, me qëllim që të shpëtosh jetën e një njeriu tjetër? Janë këto vendime tejet të vështira, të cilat duhet të merren. Gjatë luftës në Kosovë, një nga gjërat që bëja çdo ditë ishte organizimi i konferencave të përditshme me ministrat tjerë të Jashtëm të NATO-s.
Në telekonferencë ishin ministrat e Italisë, Gjermanisë, Britanisë, Francës dhe unë. Ministri i Jashtëm italian tha:’Pse nuk po e bëjmë një pauzë të fushatës së bombardimeve, ngase janë Pashkët?’, ndërsa ministri gjerman u përgjigj, ’Pse të bëjmë pauzë, për të nderuar një religjion, përderisa vrasim njerëzit e religjionit tjetër?’. Mendoj se ishte kjo një prej deklaratave më të jashtëzakonshme, kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të drejta morale”, përfundoi Albright. (Huffington Post)