E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i Çikagos do të nxehë politikën në Maqedoni

Partitë politike në Maqedoni po përgatisin aktivitetet dhe strategjitë e tyre të veprimit lidhur me sinjalet dhe epilogu që do të jetë për vendin nga Samiti i NATO-s në Çikago.

Ky takim i nivelit të lartë të Aleancës do të mbahet më 21 dhe 22 maj në Çikago të SHBA-ve, por pa përfshirë axhendën e zgjerimit dhe pranimit të anëtareve të reja.

Autoritetet qeveritare në Shkup shpresojnë se nga ky takim do të ketë sinjale shpresëdhënese dhe pozitive, sa i përket dhënies së ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë, por nga ana tjetër opozita ka paralajmëruar të kundërtën, duke u thirrur në mesazhet paraprake të faktorit ndërkombëtar se në Çikago nuk bëhet fjalë për zgjerim por për agjendë me çështjet e sigurisë globale dhe vatrave të krizës.

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe presidenti Gjorgje Ivanov kanë theksuar se presin vendime të arsyeshme dhe pozitive sa i përket Maqedonisë dhe anëtarësimit të saj në NATO. Qeveria përmes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes i ka bërë thirrje faktorëve relevant ndërkombëtarë që të jepet ftesa për anëtarësim, përmes respektimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila fajësoi Athinën zyrtare për bllokimin e anëtarësimit të Shkupit në organizmat ndërkombëtare.

Partitë e koalicionit kanë miratuar një deklaratë për çështjen e integrimit në kontekst të samitit të Çikagos. VMRO-DPMNE dhe BDI theksojnë se janë plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO dhe se pengesë mbetet moszgjidhja e kontestit të emrit.

LSDM opozitare theksoi se Maqedonia dhe qytetarët e saj sërish do të pësojnë keq nga Samiti i NATO-s, për shkak se Qeveria e paaftë nuk ka realizuar qëllimet strategjike për anëtarësim në NATO dhe BE.

PDSH vlerëson se pushteti aktual ik nga realiteti, e realiteti sipas kësaj partie është se Maqedonia në samitin e Çikagos nuk do të marrë ftesë për t`u anëtarësuar në NATO.

RDK pret që BDI-ja pas Samitit të Çikagos të jetë konzistente në përcaktimet e saja euroatlantike dhe të braktisë Qeverinë. Kjo parti propozon një shumicë parlamentare që do të zgjidh kontestin e emrit dhe një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe lokale në vitin 2013.

Organizatat joqeveritare dhe analistët politik njëzëri vlerësojnë se vendi do të humbë shansin e dytë për të përfituar ftesën për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Çikago-s, ashtu siç ishte humbur shansi në Samitin e Bukureshtit në 2008.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›