E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish azotiku i Fierit kthehet në bllok industrial

Kryebashkiaku Baftjar Zeqaj konfirmon vendimin shndërrimin e zonës
Uzinë plehrash kimike në ish uzinën e azotikut. Kjo ka qenë deklarata më e fundit e ardhur nga kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili jep lajmin e mirë se  kjo zonë do të kthehet në një bllok industrial. Kjo sipas Zeqajt, do të sjellë prodhimin e kimikateve që të ndihmohet bujqësia, duke qenë se Fieri është një zonë me bujqësi të zhvilluar. Kryetari i Bashkisë është shprehur i sigurtë për këtë zonë që sot mban 1200 tonë arsenik të groposur se vetëm në pak kohë dhe gjithçka do të kthehet në një bllok të rëndësishëm industrial. Zeqaj e ka bazuar deklaratën e tij  në studimin që ka nisur të bëhet për territorin e  uzinës. Me përfundimin e projektit për varrosjen e lëndës arsenikale, e cila kishte disa vite që ishte bërë shqetësim i banorëve fierakë dhe për mjedisin mendoj se përforcohet mendimi dhe ideja e KRRT-së së bashkisë  që kjo hapësirë do të jetë një zonë industriale, por me një profil tjetër që do të thotë se nuk do të ketë më prodhim ureje, e cila ishte lëndë e parë kimike për tokat bujqësore fierake dhe në të gjithë Shqipërinë, por besoj në të gjithë zonën rreth ish-azotikut do të mbijetojë TEC-i, u shpreh Zeqaj, duke vijuar se pjesa tjetër me kalimin kapital nga qeveria, Bashkisë së Fierit do ti nënshtrohet një ristudimi. Zeqaj tha se është një projekt ide që e ndan qytetin e Fierit nga kjo zonë rreth 4 km larg qendrës së qytetit në një brez të pyllëzuar, ndërsa pjesa tjetër domosdoshmërish kërkon një studim të posaçëm. Ai shpjegoi se janë sipërfaqet e mëdha dhe të mjaftueshme, tashmë të lëna djerrë, ku mbizotëron vetëm pyll hekurishtesh, çka ka mbetur nga ish-gjigandi. Për këtë sipërfaqe të madhe do të kishte shumë interes që fierakët ta shfrytëzojnë, tha Zeqaj. Sipas burimeve të bashkisë, mësohet se është menduar që një uzinë e madhe e prodhimit të plehut kimik do të ngrihet, duke rigjallëruar këtë pjesë të  rëndësishme industriale, që sot vetëm hesht. Gjithashtu, është bërë e ditur se janë bërë të gjitha tratativat për bashkëpunim me qeverinë holandeze, e cila veç financimit në fushën e blegtorisë do të financojë edhe në fushën e bujqësisë. Specialistët e mjedisit tregojnë aktualisht se kjo zonë është brenda standardeve dhe në pritje të investitorëve. Kjo ide që ish-azotiku të mbetet një zonë industriale,  por me një profil të ri është mirëpritur  me të drejtë edhe nga qytetarët fierakë. Këta të fundit, të cilët e shihnin, si burim ushqimi këtë zonë, tashmë duket se po rikthejnë kohët pas. Rreth 3000 vende pune u mbyllën me mbylljen e  gjigandit, por  ky sinjalizim  nga kreu i bashkisë ka bërë që të rishpresohet se për hapjen e vendeve të punës për fierakët. Gjithsesi, kjo sipas bashkiakëve, është vetëm një projekt ide, ndërsa  gjurmët e këtij studimi janë të  mbështetura edhe në hapësirën që lë plani rregullues i qytetit.

Last Updated on Monday, 27 April 2009 11:02

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›