E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama Gordon Brown shqiptar

Nga Kastriot MYFTARAJ
E kam shumë seriozisht. Nëse Edi Rama i fiton zgjedhjet, ai do të jetë Gordon Brown shqiptar. Unë jam i bindur për këtë. Në fakt, Edi Rama po ua kërkon votën shqiptarëve me idetë e Neë Labour të Tony Blair dhe Gordon Brown, të së ashtuquajturës rruga e tretë, modeli i së majtës britanike të përpunuar dhe në librin e Anthony Giddens Përtej së majtës dhe së djathtës, të cilin Edi Rama e kishte marrë me vete herën e fundit që doli në emisionin Top story të Sokol Ballës, për të mbështetur moton e tij të re.
Gordon Brown, pati fatin të ishte kryeministri i majtë britanik i cili do të ishte imazhi i dështimit ekonomik të së majtës britanike në këto 12 vjet në pushtet. Gordon Brown erdhi në postin e kryeministrit në qershor 2007, duke zëvendësuar Tony Blair, në qeverinë e të cilit kishte qenë ministër i financave (Chancelor of Exchequer), që nga ardhja në pushtet e laburistëve në 1997. Si ministër i financave Brown kishte pasur një rol të madh në këtë katastrofë ekonomike, kështu që e meritonte që kulmi i saj të lidhej me emrin e tij si kryeministër.
Për të kuptuar se çfarë po i bën Gordon Brown dhe e majta e tij ekonomisë britanike, mjafton të sjellësh këto shifra. Qeveria britanike filloi të marrë për herë të parë borxh në vitin 1691. Që nga ai vit dhe deri në 1997, kur laburistët erdhën në pushtet me Toni Blair (dhe që po e mbajnë pushtetin ende dhe sot prej 12 vjetësh) qeveria britanike ka marrë 307 miliard paund borxh. Qeveria e Gordon Brown ka shpallur se do të marrë, në dy vjetët e ardhshëm, 2009-2010, 350 miliard pound (sot një paund është 1.12 euro) borxh, pra më shumë se të gjitha qeveritë britanike që nga viti 1691! Sipas buxhetit të vitit 2009 qeveria do të huazojë 180 miliardë paund, ndërsa në 2010. Për vitin e ardhshëm, që është vit zgjedhor (do të mbahen zgjedhjet parlamentare) qeveria do të huazojë 170 miliard paund.
Borxhi shtetëror në 2008 arriti në 697.5 miliard paund, ose në 47.2% të GDP të vendit. Me borxhet që ka shpallur se do të marrë qeveria e Gordon Brown në dy vitet 2009-2010, borxhi shtetëror pritet të rritet në 58.5% në 2009, dhe në 70% në 2010, që është shifra më e lartë e borxhit shtetëror në Britaninë e Madhe që nga viti 1970. Kështu, viti zgjedhor 2010, pritet të jetë një deja vu e vitit 1970, kur një tjetër qeveri e majtë, ajo e Harold Wilson, e cila pas gjashtë vjetësh në fuqi, e kishte çuar borxhin në këtë shifër alarmante, ia dorëzoi pushtetin një qeverie të djathtë të kryesuar nga lider i dobët si Hith, që nuk ishte në gjendje të merrte vendime të forta për të nxjerrë vendin nga kriza. Nga kriza ekonomike ku e futi e majta Britaninë e Madhe e nxori, duke filluar nga fundi i viteve shtatëdhjetë qeveria e djathtë e Margaret Thatcher, e cila kur u largua nga posti i kryeministres në 1990, e kishte çuar borxhin e trashëguar në pikën më të ulët që para Luftës së Dytë Botërore, në 27%.
Por gjërat janë edhe më keq se ç pranon kryeministri Brown. Qeveria Brown ka shpallur, se me rastin e krizës globale do të mbështesë me 500 miliard paund humbjet në tregun e pasurive të patundshme. Nëse kjo realizohet, atëherë borxhi shtetëror arrin në 100% të GDP të vendit. Vetë kostoja e pagimit të kësteve të borxhit shtetëror ka filluar të bëhet një problem serioz. Në 2008 kjo kosto arrit në 31 miliard paund. Në 2009 është llogaritur në 35 miliard paund, aq sa shpenzimet ushtarake të vendit në këtë vit!
E megjithatë, vizioni i së majtës të Gordon Brown, një vit para zgjedhjeve parlamentare, është më tepër borxhe. Pa shaka! Ministri i Financave i Qeverisë Brown, Alastair Darling këtë vit ka shpallur një plan për të huazuar 700 miliard paund në pesë vitet e ardhshme. Nëse ndodh kjo borxhi shtetëror do të rritet në 1.4 miliard paund në pesë vitet e ardhshme. Por këtë vit që jemi qeveria qe e paaftë madje edhe të merrte borxh, se nuk bliheshin bonot e shitura prej Thesarit britanik, çka tregon mosbesimin tek qeveria e Gordon Brown.
Por kryeministri Brown e ka zgjidhjen, rritjen e taksave. Qeveria laburiste njoftoi një rritje taksash për ata me të ardhura mbi 150 mijë paund, në masën 50%. Opozita konseravatore e komentoi këtë si një luftë klasash ndaj shtresës së mesme, në vend të rrugës së tretë. Klasa e mesme, e cila ka pësuar pjesën më të madhe të 600 miliard paund humbje nga bankat për shkak të krizës, është shumë e pakënaqur me qeverinë. Në ndërkohë që taksat rriten ekonomia parashikohet të bjerë me 3.2% në vitin 2009. FMN ka parashikuar se ekonomia britanike do të bjerë edhe vitin e ardhshëm, e pakta me 1.1%. Dreqi e di se si do të shkojnë gjërat në pesë vitet e ardhshme nëse laburistët do të jenë në pushtet, duke njohur recetën e tyre ekonomike të shtimit të shpenzimeve shtetërore, duke marrë borxhe.
Nuk është çudi që nëse të majtët fitojnë zgjedhjet e ardhshme, borxhi shtetëror të arrijë e të kapërcejë rekordin që është në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur për shkak të shpenzimeve të luftës borxhi ishte 150%. Atëherë Britania e Madhe shikonte me shpresë nga aleatja e saj e përtej Atlantikut, SHBA, e cila i dha ndihma të mëdha. Sot nuk ekziston as kjo shpresë se SHBA ballafaqohen vetë me një krizë pa precedent që nga Depresioni i Madh i kohës ndërmjet dy luftërave botërore. Ironikisht buxheti për vitin 2009 i paraqitur nga ministri i Financave Alastair Darling, ka devizën Ndërtimi i së ardhmes britanike. Kjo devizë bëhet e qartë nëse konsiderohet se Alastair Darling është një ithtar i deklaruar i grupit amerikan të rrokut me emrin kuptimplotë The killer.
Modelin e dështuar të së majtës britanike, Edi Rama e ofron si formulë suksesi në Shqipëri. Edi Rama bën premtime të pafundme me kosto të lartë financiare në turin e tij, të quajtur Dialogu me Shqipërinë. Edi Rama u bën premtime ish-ushtarakëve, pensionistëve, mësuesve, fermerëve, invalidëve, mësuesve etj. Për t i përmbushur këto premtime, pa harruar ato që ka bërë Erion Veliaj për peshkatarët dhe minatorët, Edi Ramës i duhet të ndjekë shembullin e së majtës britanike, pra të marrë borxhe dhe të rritë taksat. Borxhe vështirë se do t i japë kush shumë, kështu që Edi Ramës nuk i mbetet veçse rritja e taksave. Nëse Edi Rama do të ndjekë shembullin e Gordon Brown të taksimit të shtresave me të ardhura relativisht të larta, atëherë ai do të armiqësohet me pjesën më të madhe të elektoratit socialist, se në Shqipëri pjesa më e madhe e shtresës së mesme është politikisht e majtë, për shkak të mënyrës si u bë privatizimi masiv i objekteve të vogla në Shqipëri, që në vitin 1991, nga Qeveria Nano e asaj kohe.
Rama nuk mund ta prekë shtresën e mesme, që realisht përbën një pjesë të madhe të elektoratit të tij, por ai nuk mund të prekë as biznesin e madh, që përbëhet kryesisht nga njerëz me origjinë të majtë dhe të afërt me partitë e majta. Në anën tjetër Ramës kryeministër i duhet të mbajë buxhetin së paku në nivelin që arriti Berisha, ose aty afër, që gjërat së paku të jenë kështu si janë sot. Se si do ta bëjë këtë Rama, mbetet mister. Buxheti qeveritar nuk bëhet duke shumëfishuar taksat e fakirfukarenjve për gjelbërim, pastrim etj., siç bën Rama sot. Edi Rama i ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme me Gordon Brown si model, në fakt do të jetë karikatura e Gordon Brown, madje edhe më keq.      
\n This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it

Last Updated on Monday, 27 April 2009 11:14

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›