Qitro; Reaksion me disa ilaçe
Fruti i qitros dhe lëngu i tij përdoren shumë në menynë e mëngjesit. Por shkencëtarët thonë se qitroja duhet shmangur nga personat që marrin edhe ilaçe. Qitro ndërpret procesin e shpërbërjes së shumë lloj ilaçeve, përfshi barnat për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, alergjive dhe kolesterinës së lartë. Përzierja e këtyre ilaçeve me qitron, në disa raste mund të shkaktojë mbidoza e në raste të tjera i bën pacientët të mos marrin dozën e mjaftueshme të ilaçeve, për të cilat kanë nevojë.
Ekspertët rekomandojnë që para marrjes së një ilaçi, pacienti duhet të lexojë me kujdes etiketën nëse aty përmendet qitroja. Një grua në shtetin Uashington nuk e dinte këtë kur filloi një dietë me qitro dhe për pak humbi këmbën si pasojë e bllokimit të gjakut nga grimcat e mpiksura. Mjekët thonë se në këtë rast, qitroja shkaktoi bllokimin e përhapjes në trup të estrogjenit që ajo kishte marrë nëpërmjet tabletave kundër shtatzënisë.
Nga qitroja ndikohen një sërë ilaçesh të tjera. Barnat statin për uljen e nivelit të kolesterinës mund të bëhen shkak për nxitjen e sëmundjeve muskulore, kur përzihen me qitron. Fruti i qitros mund të shkaktojë probleme edhe nëse ndërthuret me disa lloj ilaçesh kundër depresionit, aritmisë, alergjisë dhe hollimit ë gjakut. Sipas një studimi botuar në revistën “Lancet”, problemi shkaktohet sepse qitroja dhe këto barna ndjekin të njëjtën rrugë të përhapjes në organizëm, dhe atje ku qitroja është e pranishme, barnat nuk mund të kryejnë funksionin e tyre, pasi nuk arrijnë të shpërndahen e bllokohen, dhe ashtu të bllokuara bëhen rrezik për shtimin e niveleve toksike në trup. Nëse personi është i pasigurt se qitroja krijon reaksion me barnat që ai merr, këshilla e mjekut është e domosdoshme, sepse nga marrja çdo ditë, qoftë edhe në sasi të vogël e qitros mund të bëhet shkak për probleme të rënda kur ky frut ndërthuret me ilaçe të gabuara.
Ajri i ndotur pengon zhvillimin e foshnjës në fetus
Një studim i ri tregon se ajri i ndotur mund të pengojë zhvillimin e foshnjave në fetus. Shkencëtarët morën në shqyrtim qindra-mijëra fëmijë dhe vunë re se ata që ishin ndeshur me nivele të larta ajri të ndotur gjatë periudhës së zhvillimit në fetus, lindnin me peshë trupore nën atë normalen. Foshnjat që lindin nënpeshë, ndeshen me probleme shëndetësore gjatë rritjes a zhvillimit të tyre. Aktualisht, 9 për qind e foshnjave amerikane lindin në peshë trupore nën atë normalen. Kjo është shifra më e lartë gjatë 40 vjetëve të fundit. Pesha e lindjes përcaktohet nga shumë faktorë, përfshi kohën e lindjes, shëndetin e nënës dhe ekspozimin ndaj drogës, alkoolit e duhanit gjatë paralindjes, kur nëna është shtatzëne. Por studimi i kohëve të fundit u shton këtyre faktorëve edhe ajrin e ndotur. Rezultatet u botuan në numrin e fundit të revistës së epidemiologjisë. Gjatë studimit, mjekët morën në shqyrtim të dhënat e lindjes të më shumë se 330 mijë foshnjave në shtetin e Nju Xhersit. Ata gjithashtu përdorën të dhëna nga agjencia e mbrojtjes së mjedisit për të përcaktuar nivelin e ndotjes së ajrit për rreth adresave të shtëpive të nënave të këtyre foshnjave. Rezultatet treguan se gjasat për lindje të foshnjave me peshë nën normalen shtoheshin 4 për qind për çdo rritje të shkallës së ndotjes në atmosfere. Gjatë studimit, gjithashtu u vu re se ndikimi i ajrit të ndotur në rritjen e fetusit ishte edhe më i madh tek ato foshnjat në rrezik për shkak të shtatzënisë së vështirë të nënave. Shkencëtarët mendojnë se grimcat e ajrit të ndotur mund të hyjnë në organizmin e nënës dhe nga kjo afektohet rrjedha e gjakut në organizmin e fetusit ku zhvillohet foshnja.