Albtelekomi nga muaji prill duhet tu dërgojë faturat abonentëve
Prej kohësh abonentët e telefonisë fikse janë ankuar ndaj shërbimit të Albtelekomit, pasi kjo kompani nuk u dërgon faturat mujore në vendbanimet e tyre, kështu që abonentët detyrohen të shkojnë të paguajnë detyrimin mujor dhe të njihen me vlerën që do të paguajnë vetëm në sportelet e pagesës. Dërgimi i faturave në vendbanime të qytetarëve është një detyrim ligjor që ka Albtelekomi, por që tash sa kohë nuk e ka zbatuar. I gjendur përballë një situatë të tillë, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve në mbledhjen e tij të fundit mori në shqyrtim çështjen lidhur me mosdorëzimin e faturave nga ana e operatorit të telefonisë fikse Albtelekom sh.a. në vendbanimin e konsumatorëve. Në mbledhje është diskutuar për këtë shqetësim të ngritur prej kohësh nga qytetarët pa praninë e përfaqësuesve të Albtelekomit. Me gjithë ftesën drejtuar operatorit Albtelekom sh.a. me shkresë zyrtare për të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit, nuk u paraqit asnjë përfaqësues i tyre. Komisioni, pas shqyrtimit të çështjes, mbështetur në ligjin Për mbrojtjen e konsumatorëve, konstatoi se kjo praktikë e ndjekur nga operatori Albtelekom është në kundërshtim me dispozitat e ligjit të sipërpërmendur. Për këtë arsye, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve, mbështetur në nenin 40, pika 5 dhe nenin 55, të ligjit Për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe në pikën 6/c të VKM nr. 1444, datë 22.10.2008 Për mënyrën e funksionimit të KMK-së vendosi ndalimin e shkeljes dhe detyrimin e operatorit Albtelekom sh.a. që mënyra e faturimit për shërbimin e telefonisë fikse, nga muaji prill e në vazhdim të jetë në përputhje me ligjin Për mbrojtjen e konsumatorëve.