Liqeni i Fierzës 1 metër larg maksimales, vazhdon eksporti
06/04/2010 Vetëm për 3 muajt e parë të vitit KESH-i ka fituar rreth 40 milionë euro
Vetëm 1 metër ndan nivelin aktual të liqenit të Fierzës nga kapaciteti normal që ky liqen lejon të mbartë, por kjo nuk përbën asnjë shqetësim për përmbytje të zonës së nën Shkodrës pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të vazhdojë eksportet maksimale të energjisë, duke eliminuar derdhjet e panevojshme të ujit. Lajmi u bë i ditur dje nga Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku, gjatë një konference për shtyp ku theksoi se megjithëse është niveli i rritur i ujit në liqenin e Fierzës nuk do të ketë shkarkime, por uji do të përdoret për të rritur prodhimin e energjisë dhe si rrjedhojë dhe eksportin. “Fierza ndodhet në kuotën e 295 metrave nga 296 metra që është kapaciteti. Po rritet eksporti që të mos ketë shkarkime të liqeneve”, deklaroi ai. Situata e favorshme hidrike gjatë kësaj periudhe dhe menaxhimi i mirë i saj nga ana e KESH-it, ka mundësuar rritjen e eksportit të energjisë gjatë 3 muajve të parë të vitit dhe si pasojë rritjen e të ardhurave financiare për korporatën. Drejtori i KESH-it ka lajmëruar se gjatë periudhës 3-mujore është arritur të eksportohen rreth 900 milionë kilovat/orë duke arkëtuar 40 milionë euro të ardhura. Falë rritjes së këtyre të ardhurave, drejtori i KESH-it ka bërë të ditur se brenda këtij viti, korporata do të arrijë të shlyejë afro 50 për qind të borxhit që u ka ndër vite institucioneve të tjera. Por sipas parashikimeve të drejtuesve të korporatës, eksporti i energjisë do të vijojë edhe gjatë muajve të ardhshëm. Kështu parashikohet që muajt prill dhe maj të jenë sërish me reshje duke bërë që niveli i liqeneve të jetë në kuota të larta, çka jep mundësinë e vijimit të eksportit të energjisë. Të paktën për këtë muaj parashikohen të grumbullohen të ardhura në nivelin e 17 milionë euro, që do të thotë se KESH-i do të arrijë të fitojë 57 milionë euro për katër muajt e parë të këtij viti. Por kjo nuk është shifra përfundimtare për sa i takon muajve të parë të vitit, pasi një sasi e konsiderueshme e energjisë do të eksportohet edhe gjatë muajit maj. Përveç sqarimit të situatës hidrike dhe të ardhurave të marra prej shitjes së energjisë, drejtori i KESH-it u ndal edhe në marrëdhëniet problematike siç i quajti ai, me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Kompania private i ka një borxh KESH-it prej 4.5 miliardë lekësh, detyrim ky, i cili ende nuk është zgjidhur se si do të paguhet. “Ne i jemi drejtuar edhe Ministrisë së Financave për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate dhe për të shmangur borxhet e ndërsjella. Aktualisht marrëdhëniet mes nesh kanë probleme dhe duan kohë të zgjidhen”, tha Stojku. Aktualisht Fierza vijon të jetë në nivelin pranë maksimales, çka detyron korporatën të shesë deri në 14 milionë kw/orë energji në ditë dhe mesa duket ky proces do të vazhdojë sërish. Ndërkohë me vënien në funksion të termocentralit të Vlorës, pavarësisht nivelit të reshjeve, të paktën KESH-i do të ketë të siguruar me prodhimin vendas sasinë e nevojshme për konsumin ditor.
TEC-i i Vlorës
Pavarësisht se Banka Botërore dhe Enti Rregullator i Energjisë kanë shprehur qëndrimin se termocentrali i Vlorës është një investim jo i nevojshëm, për shkak të kostove të larta të prodhimit të energjisë, drejtori i KESH-it Muharrem Stojku thekson se projekti është shumë i nevojshëm, por do të punojë vetëm gjatë tre muajve të verës. Sipas tij, TEC-i do të vihet në provë pas datës 30 të këtij muaji dhe do të punojë 1 muaj në mënyrë që të jetë në gatishmëri. Edhe pse ka pranuar koston e lartë të energjisë që do të prodhojë ky TEC, në raport me energjinë hidrike, ai e ka justifikuar këtë fakt me menaxhimin më të mirë që i bëhet kaskadës së Drinit, gjatë muajve të verës si dhe përmirësimin e ndjeshëm të furnizimit me energji për të gjithë jugun e vendit. “Është e vërtetë që ka një kosto prej 13 lekësh për një kë/orë energji, por në rast se do ta shohim në raport me rendimentin e kaskadës, gjatë muajve të verës, ne nuk dalim me humbje”, u shpreh Stojku.