E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare bllokon gjykatën me dilemat e ekstradimit

22/07/2009  Tjetër letërporosia në Ankara “Zgjidh ku do të ekstradohesh, këtu apo në Itali”

TIRANË- Pasi u bë veçimi i çështjes për Aldo Baren dhe Enver Dondollakun dhe ky i fundit u dënua në mungesë me pëlqimin e tij për të qenë prezent avokati mbrojtës, procesi gjyqësor ka mbetur pezull. Aldo Bare sërish nuk i ka dhënë shansin gjykatës të nisë seancën gjyqësore. Asnjë njoftim nga autoritetet turke për mbërritjen ose jo të tij. Madje nuk dihet nëse Bare do të preferoj t’i përgjigjet kërkesës së shtetit italian për t’u gjykuar atje, apo shtetit tonë. Edhe vet avokati mbrojtës Vladimir Meçi nuk dha ndonjë përgjigje. Avokati tha se nuk ka dijeni se si do të veprohet, madje as nëse Bare do të shkoj në Itali, shtet i cili ka bërë kërkesë për ekstradim. Dje gjyqtari i çështjes bëri një tjetër kërkesë. Drejt shtetit turk është nisur një tjetër letërporosi për të vërtetuar pjesëmarrjen ose jo të tij. Ndërkohë që ende nuk është kthyer një përgjigje për letrën e parë të dërguar nga autoritetet tona. Shkak për të shtyrë sërish seancën është bërë mungesa e përgjigjes nga autoritetet turke. Sipas drejtuesit të seancës, Flora Hajredinaj, autoritetet turke kanë njoftuar në një përgjigje se letërporosinë e dërguar nga ana jonë ia kanë përcjell organeve policore. Në këtë mënyrë, Aldo Bare ende nuk është njoftuar për fillimin e procesit gjyqësor duke bërë të dështoi gjyqi. Por duke qenë se Bare nuk ka dijeni në rrugë zyrtare për fillimin e procesit gjyqësor, gjykata është e detyruar të shtyjë seancën deri në marrjen e një përgjigje reale. Pas marrjes së përgjigjes pritet ekstradimi i Bares nga autoritetet turke. Fillimi i procesit do të bëhet në tetor. Gjykata ka lënë tre muaj afat për të pritur një përgjigje nga autoritetet turke. Bare deri tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje për gjykimin, ndonëse për pjesën më të madhe të grupit të tij janë dhënë dënime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›