Aldo Bare kërkon largimin e gjyqtares Fatmira Hajdari
Njeriu i cilsuar si ish- kreu i bandës së Lushnjes, pretendoi se çështja ndaj tij është politizuar dhe mediatizuar shumë
Bashkëshortja e deputetit të PD-së vrarë në vitin '98, pranoi të japë dorëheqjen ndërsa pritet shqyrtimi i dorëheqjes së saj
TIRANË- Aldo Bare, i cilësuar ndryshe nga organi i akuzës si kreu i "bandës" së Lushnjës, kërkoi dje largimin nga gjykimi i çështjes së tij, të kryetares së trupës gjykuese gjyqtares Fatmira Hajdari, e njohur ndryshe edhe si bashkëshortja e Azem Hajdarit.
Kjo kërkesë u lexua paraditen e djeshme nga mbrojtësi i Bares, Vladimir Meçe, që në fillim të seancës gjyqësore, para marrjes në shqyrtim të kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë dhënë në vitin 2006 nga kjo gjykatë. Ai kërkoi largimin Hajdarit, për shkak të ngarkesës mediale sipas tij, dhe politizimit të madh të çështjes. "Çështja ndaj meje ka marrë ngarkesa të ndryshme si mediatike ashtu edhe politike.
Me qëllim që si për mua ashtu edhe në përgjithësi për opinionin, të mos paragjykohet vendimi që kjo e nderuar gjykatë do të marrë, duke përjashtuar me këtë rast çdo shkak, a arsye personale, kërkoj që ky trup gjykues të mos kryesohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari",-tha avokati Meçe duke cituar klientin e tij Aldo Bare.
Pas kësaj kërkese, Hajdari u shpreh dakord parimisht duke i paraprirë kërkesës që pritet të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate. "Jam dakord. Unë do të paraqes dorëheqjen para kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Seanca deklarohet e mbyllur dhe pezullohet shqyrtimi i kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë deri në shqyrtimin dhe gjykimin e kërkesës për përjashtimin tim nga trupi gjykues",-tha gjyqtarja Hajdari.
Vetëm tri ditë pasi ishte ekstraduar nga Turqia, Aldo Bare doli para gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Klodian Kurushi, për verifikimin e masës së sigurisë "arrest me burg" të caktuar në mungesë në vitin 2006. Gjatë seancës, Bare nuk preferoi të flasë për akuzat duke u shprehur: "Do të përballem me të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria gjatë gjykimit".
Gjyqtari Kurushi, pasi dëgjoi palët në seancën gjyqësore të verifikimit të masës së sigurisë, vendosi me kërkesë të prokurorisë të lërë në fuqi vendimin e dhënë në vitin 2006, duke izoluar në qeli të pandehurin Bare me masën "arrest me burg".
Pas zbardhjes së vendimit, mbrojtësi i Bares, Vladimir Meçi, e ankimoi atë në Gjykatën e Apelit dhe shqyrtimi pritet javën që vjen. Gjithashtu, avokati depozitoi para Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda edhe një kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë, pasi që nga arrestimi në Turqi, Aldo Bare ka qenë i izoluar në burg. Ky izolim ka sjellë kalimin e afatit procedural të masës së sigurisë "arrest me burg", duke kaluar afatin njëvjeçar të përcaktuar me ligj.
Sipas kërkesës së avokatit, ndaj të pandehurit duhet të shuhet masa e sigurisë pasi ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë në burg për më shumë se tri vite pa një vendim gjykate, duke sjellë kështu shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.
Për këtë kërkesë, trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtarja Hajdari u mblodh dje, por, pa filluar shqyrtimin e kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë Bare nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, kërkoi largimin e gjyqtares Hajdari nga gjykimi i dosjes së tij, duke lënë të kuptohet se "bindjet e saj politike, do të ndikojnë në dhënien e vendimit përfundimtar".