E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Luftoni krimin dhe garantoni lirinë e medias

Ambasada britanike në Tiranë konsideron urgjente luftën kundër korrupsionit në drejtësi e polici


TIRANË - Shqipëria duhet të marrë masa urgjente për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si edhe për të garantuar lirinë e medias. Apeli është bërë nga Bashkimi Evropian, përmes një dokumenti zyrtar, të miratuar në samitin e fundit të ministrave të jashtëm.


"Forcimi i shtetit ligjor dhe veçanërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe funksionimi normal i institucioneve shtetërore, sidomos pavarësia e sistemit gjyqësor, mbeten sfida urgjente për Shqipërinë.


Duhen bërë më shumë përpjekje për të garantuar lirinë e medias. BE-ja i bën, gjithashtu, thirrje të gjitha partive politike të ndjekin rrugën e një dialogu konstruktiv, brenda në parlament", - thuhet ndër të tjera në dokumentin e miratuar. Për këtë arsye, edhe dje në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ndërkombëtarët i kanë mëshuar fort këtij fakti, në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë, pikërisht për këtë çështje.


Ambasadorja Britanike, Fiona McIlëham, tha: "Progres Raporti i 2009 i Komisionit Evropian për Shqipërinë flet për një 'kulturë mosndëshkimi' në jetën publike dhe nevojën për të krijuar një praktikë bindëse dënimesh të rasteve të korrupsionit. Të hënën, Ministrat e Jashtëm Evropianë nënvizuan urgjencën e kësaj sfide.


Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e integrimit Evropian të Shqipërisë, por për vetë popullin shqiptar. Korrupsioni ka një kosto shumë të lartë dhe njerëzore",- tha ajo. Ambasadorja britanike shtoi se "qeveria britanike vazhdon të mbështesë autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile në këtë luftë, si një prioritet.


Mbretëria e Bashkuar e shikon luftimin e korrupsionit brenda institucioneve të zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë dhe drejtësinë, si veçanërisht urgjente". Ajo vuri në dukje se tryeza e rrumbullakët e organizuar dje nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe OSBE, është një shembull i rëndësishëm i përqasjes së përbashkët, që do të nevojitet për të trajtuar këtë problem.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›