Dixhitalizohen tri mijë orë arkiv zanor të folklorit
Me mbështetjen e Fonogramarkivës së Vjenës, për katër vjet u hodh në sistemin dixhital fondi zanor i Institutit të Folklorit.
Tri mijë orë regjistrim zëri të trashëgimisë kulturore shqiptare, këtej e tutje i përdorshëm nga të gjithë të interesuarit. Qendra e Studimeve Albanologjike prezanton sot projektin 4-vjeçar (2005-2009) të informatizimit të arkivit të audiotekës së Institutit të Folklorit (aktualisht Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit).
Është një nga projektet më të rëndësishëm të realizuar vitet e fundit në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shpëtuar këtë pjesë nga problemet e shumta që ka trashëgimia jonë materiale dhe shpirtërore.
Në fakt është një projekt që përfshin trashëgiminë kulturore dhe shkencore në rajonin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
Që prej viteve '50, ish Instituti i Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave, kishte mbledhur, zhvilluar dhe ruajtur një koleksion regjistrimesh zanore të fushës etnografike i cili pasqyron një fond kulturor kombëtar të transmetuar në mënyrë gojore në 50 vitet e fundit.
Specialistët thonë se ky fond i përbërë nga shirita zanorë të vjetër të kërcënuar prej kushteve të ruajtjes dhe kohës që kalon, "reflekton një imazh të larmisë gjuhësore dhe kulturore të kombit, e cila i është nënshtruar një transformimi radikal prej zhvillimit të mëtejshëm aktual dhe perspektiv.
Ky koleksion përbën një pjesë të rëndësishme të burimeve për historinë kulturore shqiptare dhe një korpus shkencor të pazëvendësueshëm për studimet (etno)muzikologjike, antropologjiko-kulturore (etnografike) dhe gjuhësore." Për këtë arsye lindi nevoja e këtij projekti me
Fonogramarkivin e Vjenës, me të cilin kontaktet kanë ekzistuar që prej vitit 1963.
Drejtuesi i projektit, Dr. Dietrich Schüller e ka njohur nga afër këtë arkiv nga vizitat personale të kryera gjatë viteve 1973, 1978 dhe 1995.
Pas përpjekjeve të prof. Tilmann Seebass nga Universiteti i Insbrukut dhe nismës së Ambasadës Austriake në Tiranë, Agjencia Austriake për Zhvillim mori përsipër financimin e projektit në shumën totale prej 180.000. euro në fund të vitit 2005.
U siguruan aparatura moderne për të dëgjuar shiritat zanorë analogë, stacione të punës audio për dixhitalizimin e shiritave, një server për ruajtjen e dosjeve arkivale dixhitale, dhe një stacion dëgjimor dixhital, të cilat u instaluan në bashkëpunim nga specialistë të Vjenës dhe Tiranës.
Krahas dixhitalizimit të regjistrimeve zanore, edhe metadatat e tyre, përshkrimi i përmbajtjes së regjistrimeve, u sistemuan në formën dixhitale nga specialisti berlinez Dr. Andreas Matzke, duke instaluar një bankë të dhënash.
Gjatë kësaj kohe u vizituan disa arkiva audiovizualë në Kosovë dhe Maqedoni dhe u diskutuan mundësitë e një bashkëpunimi në të ardhmen.
Në vitin 2007-2008, kur u bë ristrukturimi i disa institucioneve shkencore, Instituti i Kulturës Popullore, në varësinë e Akademisë së Shkencave kaloi nën drejtimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, duke u quajtur Institut i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit. Nën të njëjtën varësi është edhe Instituti i Gjuhësisë, i cili disponon fonde zanore të rëndësishme të cilat kanë nisur të dixhitalizohen.
Ky riorganizim mendohet të shoqërohet dhe me një strehim të koleksioneve në një ambient të ri të përshtatshëm për arkivat dhe laboratorët, çka pritet të ndodhë në vjeshtë të 2010-ës.
Me këtë projekt u ruajt jo vetëm një pjesë esenciale e fondeve shkencore audiovizuale në Shqipëri, por mbi të gjitha, u krijua një arkiv zanor dixhital sipas standardeve ndërkombëtare, i cili shërben si një shembull instalimi për qëllimet e ngjajshme në Ballkanin perëndimor.
Duhet pritur që prej ndikimit të këtij modeli t'i jepet një shtysë projekteve të ngjashme. Për një sigurim extra, një pjesë e kopjes së dixhitalizuar do të ruhet në Fonogramarkivin e Vjenës me të drejta disponimi të kufizuara.
Në prezantimin e sotshëm janë të pranishëm drejtori i Fonogramarkivës së Vjenës, Prof. Dr. Rudolf M Brandl, drejtuesi i projektit Dr. Dietrich Schuller, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Prof. Dr. Ardian Marashi, Drejtoresha e Institutit të Antropologjisë Kulturore Prof. Dr. Miaser Dibra, dhe specialistë të Arkivave audio nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia.