E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare sillet në Shqipëri, lidhur këmbë e duar me zinxhirë

Me kokën ulur dhe me ecje të vështirë prej zinxhirëve, Alfred Shkurti, njeriu i frikshëm i fundit të viteve ‘90 u shfaq dje në Aeroportin e Rinasit, me pamje të hutuar, si të një ujku të mbyllur në kafaz.
I njohur si Aldo Bare dhe i cilësuar si kreu i Bandës së Lushnjës, ai është sjellë me një avion special direkt nga Ankaraja për në Tiranë. Ish-kapoja i Bandës së Lushnjës ka mbërritur në Rinas dje, rreth orës 10:00. Ekstradimi i tij është bërë në fshehtësi të plotë, ndërkohë që Bare kërkonte medoemos të ekstradohej në Itali.
Mbërritja është bërë në fshehtësi të plotë, sa edhe vetë i ekstraduari nuk dinte asgjë derisa e kanë marrë nga burgu nën masa të rrepta sigurie, i lidhur kokë e këmbë dhe e kanë vënë në avion. Bashkë me një ekip të policisë speciale turke, kanë qenë edhe dy oficerë shqiptarë, të cilët në fshehtësi të plotë janë nisur drejt Tiranës. Nga ana tjetër, drejtuesit e policisë shqiptare kanë mobilizuar repartin special RENEA, të cilëve u kanë kërkuar të nisen për në Rinas, pasi ekstradohet një person, por pa u treguar se kush.
Atyre u është kërkuar që në orën 09:00 të jenë në Rinas, pavarësisht se për personin u ishte thënë se ekstradohej rreth mesditës. Rreth orës 09:45 minuta, ata janë njoftuar të marrin situatën nën kontroll, pasi po ekstradohej Aldo Bare. Në atë kohë, katër makina të blinduara janë afruar në pistë. Ndërsa aeroporti ka ndaluar aktivitetin e tij. Pa kaluar ora 10:05, në pistë është ulur një avion çarter, brenda të cilit ndodhej Aldo Bare. Specialët kanë kontrolluar terrenin dhe u kanë dhënë leje të pranishmëve në bord që të hapnin derën e avionit dhe të bënin dorëzimin e të shumëkërkuarit.
Menjëherë, ai është futur në makinën e blinduar dhe ka lënë aeroportin. Por, këtë radhë, ai nuk është shoqëruar me një apo dy mjete, por me një autokolonë të gjatë me mjete të blinduara. Forcat speciale kanë vënë në dispozicion katër mjete të blinduara ndërkohë që edhe gjashtë të tjera i shoqëronin, tre prej të cilave ishin në pararojë ndërsa tre të tjera në fund. Të gjitha mjetet ishin të mbushura me forca policie nga reparti RENEA, FNSH-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Megjithatë, masat për ekstradimin e Bares nuk kanë qenë vetëm kaq. Në gjithë autostradën nga Rinasi në Tiranë, e pikërisht deri te Burgu i Sigurisë së Lartë 313, forca policore kishin ngritur postblloqe për lirimin e rrugës, kur të kalonte autokolona me personin e ekstraduar. Nga ana tjetër, që në hyrje të kryeqytetit, pikërisht te vendi i quajtur "Kthesa e Kamzës", te mbikalimi i Rrugës së Durrësit, ishin vendosur snajperët e RENEA-s, që kanë shoqëruar gjithë pikat e larta deri në burg. Ato kanë qenë në gatishmëri të reagonin ndaj çdo sulmi, apo incidenti në drejtim të autokolonës.
Gjithashtu, Aldo Bare është shoqëruar për në qeli edhe nga drejtuesit më të lartë të Antikrimit të Organizuar, duke nisur që nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e deri te drejtuesit e Policisë së Tiranës. Madje, pak para se ai të zbriste në tokën shqiptare, drejtuesit e policisë kanë urdhëruar efektivët e RENEA-s që do të bënin shoqërimin e Aldo Bares, që pavarësisht se çfarë mund të thoshte ai gjatë rrugës, nuk duhej të flisnin asnjë fjalë. Megjithatë, nga grupi special mësohet se ai nuk ka komunikuar fare në udhëtim, por ka qëndruar i heshtur deri në momentin që është dërguar në qeli, duke i dhënë fund një historie dhune dhe sfide ndaj ligjit, që u shndërrua gati në legjendë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›