Aldo Bumçi: Rama po dëmton themelet e miqësisë me fqinjët
Partia Demokratike ka reaguar me anë të ish- ministrit të Jashtëm, Aldo Bumçit, pas takimit të kryeministrit Edi Rama me presidentin e Maqedonisë, Ivanov.
Sipas Bumçit, Rama po vë në rrezik miqësinë me vendet fqinje.
Bumçi e cilësoi si të paprecedent deklaratën e Ramës në konferencën me presidentin e Maqedonisë, ku sipas tij barazohej pakica maqedonase me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.
Zoti Rama po dëmton themelet e fqinjësisë së mirë që kemi pasur deri tani. Rama nuk përmendi marrëveshjen e Ohrit, që i dha fund konfliktit në Maqedoni. Është dokumenti bazë për marrëdhëniet ndëretnike. Marrëveshja e Ohrit është e përfshirë në çdo raport të BE-së dhe ka qenë kryefjalë e çdo diplomati.
Ai vuri shenjën e barazimit mes pakicës maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve të Maqedonisë që bëjnë 25 % të popullsisë.
Rama tha se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni kur nuk respektojmë të drejtat e pakicave maqedonase këtu.
Shqipëria në çdo raport vlerësohet me notat më të larta për të drejtat e pakicave. Një krahasim i tillë është i keq, pasi cenon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, u shpreh Bumçi.