Aldo Bumçi, replikë për shkrimin e Zogajt mbi Migjenin
MIGJENI DHE TESTAMENTI I TRADHËTUAR
PËRGJIGJE SHKRIMIT MIGJENI, SHUMË I MADH PËR QEVERITARË TË VEGJËL BOTUAR
Nˠ SHEKULLI DATË 12 TETOR, 2011
Aldo Bumçi
Ministër i Kulturës
Në shkrimin e djeshëm të botuar në gazetën Shekulli me titull Migjeni, shumë i madh për qeveritarë të vegjël, autori i tij ka përdorur një sërë të pavërtetash dhe arsyetimesh të tjera tërësisht jashtë letrare në të vërtet janë në vazhdë të manipulimit tashmë klasik që i është bërë Migjenit përgjatë 50 viteve të regjimit komunist dhe në vijim – për të arritur në disa përfundime qëllimisht të gabuara.
Në këtë shkrim doza e tepruar e patetikës dhe mllefit, që në të vërtet fsheh mungesën e ndonjë argumenti themelor për ta shkruar këtë shkrim, e pengon autorin të kuptojë realitetin e pakontestueshëm që Migjeni është poeti më i kremtuar në letërsinë shqipe të shekullit të shkuar e në vijim.
Për këtë arsye regjimi komunist e manipuloi këtë figurë të ndritur të kulturës shqipe për tia kundërvënë djallëzisht të tjera figurave madhore krejtësisht të përçmuara dhe të harruara siç qenë Ernest Koliqi, Atë Gjergj Fishta apo Lasgush Poradeci dhe të tjera figura të ndritura. Migjenit iu veshën petka të tipit komunist, shkrimtar i kuq revolucionar, pararendës i soc-realizmit, etj, duke ia kundërvënë figurave të tjera reaksionare, të cilat regjimi i kuq i luftoi edhe më egër se të gjallët. Por ky nuk eshte Migjeni, ky nuk nuk është testament i tij.
Kjo skemë ideologjike dhe me synime të mbrapshta e përdor nga regjimi komunist për të kundërvënë figurat e mëdha të kulturës shqipe, ka rezultuar fatal për kulturën tonë e cila mezi i shpëtoi shfarosjes nga murtaja e kuqe. Sot ne ende nuk kemi një hierarki të domosdoshme dhe të mirëpranuar të vlerave letrare shqipëtare, por nga ana tjetër të hapësh debate se kush prej Lasgush Poradecit apo Migjenit është më i madh apo më i vogël, më i rëndësishëm apo i parëndësishëm, është kryekëput një debat, që në rastin më të mirë është naiv dhe shterp dhe në rastin më të ulët është vazhdimësi e njëjtës skemë manipuluese dashakeqe që përmenda më lart.
Nëse deri sa qe gjallë Lasgush Poradeci, për shqipëtarët ishte më shumë një emër nga bota e të vdekurve sesa e të gjallëve, rokada Migjen-Lasgush që propozon autori i shkrimit është thjesht ogurzezë. Dhe ky nuk është testament i Migjenit. (I kujtoj autorit të shkrimit në fjalë që si fitues i Çmimit Lasgush Poradeci që jep Ministria e Kulturës, është gjithmonë në kohë ta refuzojë, nëse mendon që emri i Lasgush Poradecit nuk e nderon).
Ministria e Kulturës është krenare që vitin 2011 e ka shpallur vitin e Migjenit, Gjergj Fishtës dhe Marie Krajës, tre personalitete që do të mbeten gjatë në kujtesën kombëtare dhe me të cilët është lidhur pazgjidhshmërisht identiteti ynë kulturor dhe kombëtar.
Ndërsa për të tre personalitetet e kulturës janë parashikuar mjaft aktivitete artistike (ndërkaq janë kryer ose po kryhen), por këtu po veçoj sidomos aktivitet kushtuar Migjenit të cilat po i rendis më poshtë:
1-Në shkurt të këtij vit, Ministria e Kulturës ia akordoi Çmimin Kombëtar Faik Konica për studimin më të mirë të vitit veprën Migjeni ose parathënie dyzuar me autor Anastas Kapurani duke nxitur haptas studimin e veprës së Migjenit jashtë kornizave soc-realiste.
2-Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nga data 04 13 tetor 2011, është hapur dhe po vitizohet ekspozita me koleksionin e botimeve të Migjenit, të nxjerra nga fondi që disponon ky institucion i rëndësishëm mbi jetën dhe veprën e Migjenit.
3-Në datën 13 tetor ( kur shënohet edhe 100 vjetori i lindjes së tij) ora 20:00, në Teatrin Kombëtar do të realizohet nën regjinë e artistit të mirënjohur Vasjan Lami, koncerti poetik Poema Migjeniane nën interpretimin e artistëve të mirënjohur të skenës Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, Suela Konjari dhe Dritan Boriçi.
4-Në datën 13 tetor do të organizohet në sallën Tefta Tashko Koço, të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Ëest Print, ceremonia e promovimit të veprës më të fundit studimore mbi Migjenin Migjeni në pakohësi, vepër e studiuesit Behar Gjoka.
5-Më datën 14 tetor 2011, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të vihet në skenë baleti i mirënjohur Migjeniania.
6-Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë të UT-së, organizon konferencën shkencore 100 vjet me Migjenin
7-Në këtë kontekst, për të përkujtuar dhe nderuar veprën dhe figurën e poetit të shquar Migjenit, MTKRS ka përgatitur dhe realizuar vendosjen e banerit qëndror në Pallatin e Kulturës si edhe ka përfunduar shpërndarjen e mjaft materialeve promorcionale ( ftesa, programe etj), e në të njëjtën kohë nga Televizioni Publik Shqiptar po shfaqet ndërkohë spoti i posaçëm, financuar nga institucioni ynë, në nderim të figurave: Migjenit, Atë Gjergj Fishtës dhe Marie Krajës.
Sigurisht, ndonjeri prej Mohsave sikundër i ka tipizuar shkëlqyeshëm shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, do të ëndërronte që Migjeni të harrohej nga shteti, nga njerëzit, nga dashuruesit e letërsisë, që pastaj ata duke ua përmendur emrin me sokëllitje, të mund të shelbojnë diçka prej kujtesës së tyre të rënduar.
Duke njohur dhe vlerësuar mjaft faktin që Migjeni është shkrimtari më i njohur dhe i çmuar në shtatëdhjetë vitet e fundit, unë gjej rastin për të shprehur edhe detyrimin që na lind të gjithëve mua në rradhë të parë – ndaj etërve të letërsisë dhe kulturës shqipe që u mohua krejtësisht në kohën e komunizmit, vepra e të cilëve meriton të njihet, të përhapet dhe të ketë vendin e vet në memorien e gjithësecilit, në memorien e kombit.
**********
Migjeni, shumë i madh për qeveritarë të vegjël
Preç Zogaj
Nesër mbushet plot një shekull nga dita e lindjes së poetit dhe prozatorit të madh shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla ( Migjeni). Vepra e tij, modeste në volum- Migjeni vdiq shumë i ri, pa i mbushur njëzet e shtatë vjeç- është mjaft e njohur për lexuesin e gjerë shqiptar. Kjo edhe falë vendit të merituar që i është dhënë kësaj vepre në tekstet e shkollore dhe falë parapëlqimit të aktorëve të çdo brezi për ta lexuar në publik apo në media. Migjeni, një poet elitar, është njëkohësisht ndër më popullorët që kemi. Ky mund të jetë shpërblimi posmortum i fatit për ketë fëmijë të muzave, që jetoi dhe vdiq pothuajse pa u venë re, i vetëdijshëm për dhuntitë e rralla që kishte, të cilat i shkriu bujarisht deri në frymën e fundit, kur shkroi fjalët nuk flitet ma, mbi të cilat u këput pa jetë dora e tij prej mjeshtri.
Nuk ka qenë e nevojshme, megjithatë, ti imponohet kulturës në forma ekstraletrare. Lavdia e Migjenit ka qenë, është dhe do të jetë cilësia e lartë e krijimtarisë së tij. Për të është shkruar kurdoherë me superlative nga penat me të mira të letërsisë dhe kritikës. Edhe këtë vit, më saktë këto ditë, me sa dimë, përveç disa veprimtarive të posaçme për nder të njëqindvjetorit të tij, do të shohin dritën e botimit dy libra të rinj për Migjenin nga dy autorë të shquar të botës akademike- universitare dhe letrare, nga Alfred Uçi dhe Nasho Jorgaqi.
Por në këtë njëqind vjetor të poetit qeveria dhe Ministria e Kulturës nuk e shpallën vitin dymijë e njëmbëdhjetë vitin Migjeni, siç kanë bërë gjatë dekadës së fundit me figura të tjera të ndritura të kulturës kombëtare, të vdekur dhe të gjallë, si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Petro Marko, Ismail Kadare e tjerë.
Shkodra, qyteti i lindjes, së cilës Migjeni i këndoi dhe i blatoi fjalë që nuk lexohen, por këndohen, aq afër janë me muzikën, pra kjo Shkodër e nominuar me të drejtë nëpër vite dhe dekada si djep kulture