E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ekstrakt për korrupsionin politik

REXHEP MEIDANI

Gënjeshtra e skajshme si pamje korrupsioni politik!?
Kudo në botë, shumica e politikanëve bëjnë mjaft premtime që të zgjidhen ose të mbeten në pushtet. Kjo është sa e vjetër, po aq dhe e re. Bile, dhe N. Krushovi, dekada më parë, ka deklaruar se politikanët janë kudo të njëjtë; ata premtojnë të ndërtojnë ura edhe atje ku nuk ka lumenj!.  Në Shqipëri, kjo vihet re sidomos gjatë fushatave elektorale, si, p.sh., në zgjedhjet e fundit vendore. Por, kjo është dhe pamja e përditshme e gojës në Ekzekutiv, përfshi dhe rastet kur nuk lëvizin buzët! Në fakt, kështu, nëpërmjet një propagande të çuditshme, po synohet të rritet ndikimi mbi qytetarin, thjesht me shpresën e bukur e një memorie kohëshkurtër të tij. Vetë premtimet harrohen aq shpejt, sa gënjeshtra bëhet fare normale, bile dhe termi politikan i ndershëm po merr ngjyrosje pezhorative! Në këtë kuptim, vlen përkufizimi i Kuintonit (John Quinton), mbi politikanët, që kur shohin dritë në fund të tunelit, shpejtojnë të blejnë tunele të tjera! Por, kjo situatë po bëhet tepër shqetësuese, sepse çdo ngritje në piedestal e gënjeshtrës bëhet ushqyese për autokracinë dhe vdekjeprurëse për demokracisë. Këtë thelb të saj ka shfrytëzuar dikur Gëbels (J. Göbbels), një nga ideologët e nazizmit dhe propagandës naziste. Sipas tij: Kur thuhet një gënjeshtër e madhe dhe ajo përsëritet pa pushim, njerëzit fillojnë ta besojnë atë. Madje, kjo gënjeshtër mund të ruhet si e tillë për aq kohë që shteti arrin tiu fsheh qytetarëve pasojat e saj politike, ekonomike dhe/ose ushtarake. Pra, bëhet tepër thelbësore për qeverisjen që të shfrytëzohen të gjitha pushtetet për të shtypur çdo zë kundër. Sepse vetë e vërteta është armiku vdekjeprurës i kësaj gënjeshtre, dhe  në shtrirje të saj, e vërteta bëhet dhe armiku më i madh i shtetit. Sot, kjo tezë mbetet po aq e rrezikshme, pavarësisht kamuflimit të saj në labirintet e pseudo-demokracisë dhe demagogjisë populiste. Në ushqim e zbatim të saj, edhe lufta kundër korrupsionit mbetet thjesht një pseudo-përpjekje!…
Disa pamje shqiptare të korrupsionit politik
Korrupsioni politik në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera, pasqyron një abuzim të pushtetit  për përfitime ilegjitime. Ndërsa, shmangiet antidemokratike si: keqpërdorimi i pushtetit ndaj kundërshtarëve politikë, brutaliteti policor deri përdorimi i armëve (si në 21 janar 2011), represioni mbi opozitën, trysnia mbi gazetarët, deri eliminimi fizik i tyre (si, p.sh., në periudhën 1994- 1997) etj., megjithëse nuk kategorizohen si korrupsion politik, ato kanë një lidhje të ngushtë me të. Edhe mjaft aktivitete jo ligjore, pa përfshirje konkrete politike (p.sh., të qeverisë), nuk përfshihen në skemën e korrupsionit politik, ndryshe nga veprimtaria joligjore e zyrtarit të lidhur me detyrën e tij shtetërore! Disa nga trajtat e korrupsionit politik në Shqipëri janë: mitmarrjet, ekstorsioni (marrje me forcë e shumave monetare, pronës dhe shërbimeve), kronizmi (që, ndryshe nga meritokracia, lidhet me emërime abuzive, pa kualifikimin dhe përgatitjen e duhur), nepotizmi (si favorizim miqsh, familjarësh e farefisi), patronazhi i orientuar (si mbështetje, privilegj e ndihmë financiare me orientim të caktuar), shfrytëzimi i paskrupullt i autoritetit të dikujt për fitime personale, mashtrimi financiar (si përvetësim e zhvendosje asetesh nga disa individë tek të tjerë), etj. Ato ndeshen në një formë apo tjetrën në qeverisjen shqiptare (në nivel qendror e vendor), përfshirë dhe struktura të pavarura si p.sh. ato gjyqësore. Po të kërkohen disa shembuj e emra konkretë, lexuesi nuk e ka të vështirë ilustrimin në përputhje me radhitjen e mësipërme. Aq më tepër që në qeverisje, kohët e fundit, janë ndeshur deri situata kleptokracie (më shqip, hajdutllëku) apo një korrupsion kriminal i skajshëm si ai i Gërdecit. Po ashtu, edhe pse korrupsioni i mundëson dhe lehtëson veprimtari të tilla si: trafikimi i narkotikeve, pastrimi i parave apo trafikimi i qenieve njerëzore, ai nuk ndalon thjesht te këto aktivitete. Sidomos kur këto të fundit, kthehen në biznese legale me bekimin e licencave qeveritare, në Shqipëri e vende të tjera! Pavarësisht që pretendohet për të kundërtën! Pa harruar që, në varësi të vendit konkret e legjislacionit të tij, trajtimi juridik është i ndryshëm. Kështu, praktikat e financimit politik-partiak, që janë legale në një vend, janë ilegale në një vend tjetër. P.sh., ka dallim midis financimit partiak në SHBA dhe atij në Europë; ndërkohë që në Shqipëri monitorimi i këtij financimi ka qenë fare formal. Edhe përcaktimi ligjor i detyrave publike është një problem në vete. Ai, për mjaft zyrtarë, është i vagët apo me mundësi të gjera manovrimi, gjë që e bën të vështirë dallimin midis një veprimtarie legale dhe asaj ilegale, duke e çuar, p.sh, mitmarrjen vjetore botërore në vlera të afro një trilion dollarëve, prandaj kjo çështje vlen të analizohet me mjaft seriozitet edhe tek ne.
Mungesa e vullnetit politik
Pasqyrim i drejtpërdrejtë i saj është lufta jo efektive kundër korrupsionit politik. Madje, në Shqipëri, me gjithë frekuencën e daljeve publike të nivelit të lartë (me të cilat synohen të justifikohen rezultatet e dobëta në luftën kundër korrupsionit, në fushën e reformave dhe zhvillimit), vullneti politik mbetet një koncept i përcaktuar dhe i kuptuar keq. Mungesë e tillë vullneti është, p.sh., moskryerja e veprimeve minimale të matshme, të paktën, për të luftuar pjesën e dukshme të ajsbergut të korrupsionit. Kjo ka bërë që mjaft zyrtarë të abuzojnë sot pa më të voglën frikë, në mënyrë gati transparente(!), që të vjelin pushtetin politik dhe të akumulojnë pasuri, ta vejnë atë në shërbim të interesave vetjake. Sidomos këtë sjellje e favorizon ruajtja e pushtetit nëpërmjet abuzimeve në zgjedhje!…
Keqpërdorimi i pushtetit politik
Grupi më i ndeshur është ai i korrupsionit politik ku dominon përfitimi vetjak ose ai i grupit (familjes, klanit, partisë etj.). Me atë lidhet keqpërdorimi i pushtetit politik, që nga mbyllja e syve deri tek aplikimi i incentivave ilegjitime. Bile, në këtë grup, në vende të ndryshme, ndeshen deri shembuj shtetarësh të top listës (kryetari i shtetit e kabineti i tij, kryetari i qeverisë dhe ministrat, zyrtarët e tjerë të lartë civilë e ushtarakë, parlamentarët apo nëpunësit civilë të administratës së lartë etj.). Mbi të gjitha, në këto nivele, por dhe ato të mëposhtme, vihen re abuzime jo vetëm për përfitime personale, por dhe kolektive (të partisë apo koalicionit, financimit të fushatave elektorale etj.), përfshirë çantën tatimore apo thesin tatimor në drejtimin vertikal. Fakti që shumë pasuri të disa personave në nivele të tilla nuk janë të shpjegueshme sot me pagën e tyre, flet më shumë se çdo gjë tjetër në kushtet shqiptare!…
Korrupsioni politik i prek të gjithë. Partitë politike propozojnë kandidatët, kurse qytetarët si votues i zgjedhin ata, me shpresën e angazhimit në shërbim të interesit publik. Disa prej tyre, pasi zgjidhen, kanë mundësi të administrojnë burime publike apo të marrin vendime, që lidhen ngushtë me jetën e qytetarëve. Në këto pozicione, këta politikanë dhe partitë, që i kandidojnë, mund të ndikojnë jo pak në jetën e njerëzve, standardin e saj, por dhe zhvillimin e vendit. Prandaj, duhet luftuar me forcë korrupsioni në këto nivele; ndërsa individët e korruptuar të largohen menjëherë prej pozicioneve të tilla. Mbyllja e syve në ekzekutiv ndaj kësaj kërkese, sidomos për raste të bëra publike, e bën jo pak të dyshimtë qeverisjen e sotme. Aq më tepër që një kërkesë e tillë shpreh dhe një shqetësim të gjithanshëm të organizmave ndërkombëtare…
Monitorimi i financimit politik
Një rol parësor në luftën kundër korrupsioni

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›