Aldo Terrusi , (Ri) Kthim në vendin e Shqiponjave
Aldo Renato Terrusi vjen të tregojë në Shqipëri historinë shqiptare të familjes së tij.
Kthim në Vendin e Shqiponjave është titulli i librit që Aldo Renato Terrusi do të prezantojë të enjten në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Instituti Italian i Kulturës me rastin e Javës XI të Gjuhës Italiane në Botë. Libri tregon udhëtimin e autorit në Shqipëri, në nëntor të vitit 1993, në shoqërinë e dajës së tij Giacomo Poselli, lojtar i njohur i kombëtares së futbollit shqiptar, në kërkim të origjinës dhe historisë së tij personale: Aldo Terrusi ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i arrestoi të atin, drejtor i bankës së Vlorës dhe e mbylli atë së pari në burgun e Vlorës e më tej në atë të Burrelit. Giuseppe Terrusi vdiq në vitin 1952 në atë burg famëkeq, pa mundur t’i japë lamtumirën e fundit djalit dhe bashkëshortes. Janë dëshmitë e të burgosurve të tjerë si Ëngjëll Kokoshi dhe Petrit Velai, të mbijetuar nga ai ferr, që do ta njohin djalin me momentet e fundit të jetës së Giuseppe Terrusi-t dhe t’i tregojnë atij vendin ku ndodhen eshtrat, ende të pagjetura, të të atit. Romani biografik i italianit Aldo Terrusi, përmes dramës personale të një familjeje, jep dëshmi historike për fatin e shumë të huajve që u dënuan dhe vdiqën në burgjet komuniste nën regjimin e Enver Hoxhës. Gjithçka që pa dhe përjetoi në vendin e shqiponjave, Aldo Terrusi vjen për herë të parë ta rrëfejë në Tiranë, tamam ashtu siç dhe kishte premtuar në qershor të këtij viti në Ambasadën Shqiptare në Itali, ku promovoi për herë të parë librin e tij biografik. Aldo Renato Terrusi do të prezantohet në “tempullin” e librit kombëtar nga akademiku Kolec Topalli, president i Këshillit Administrativ të Institutit të Studimeve mbi Krimet e mbi Pasojat e Komunizmit. Do të mbajnë fjalën e tyre Dok. Agron Tufa, Dok. Pjetër Pepa dhe z. Gëzim Peshkëpia nga Instituti i Studimeve mbi Krimet dhe mbi Pasojat e Komunizmit.