Ramón Sánchez Lizarralde “Darka e gabuar”, testamenti i përkthyesit në spanjisht
Libri
“La cena equivocada” e Ismail Kadaresë sapo ka dalë në libraritë e Spanjës, nga shtëpia botuese “Alianza” që e promovon si librin e fundit të sjellë në spanjisht nga Lizarralde, i cili u nda nga jeta në korrik të këtij viti
“Darka e gabuar” (La cena equivocada) mbetet “testamenti” i fundit letrar i përkthyesit Ramón Sánchez Lizarralde. Lizarralde, përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle, por dhe një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare, u nda nga jeta në korrik të këtij viti, ndërkohë që libri i fundit që kishte përkthyer ishte “La cena equivocada” e Ismail Kadaresë, që u promovua këto ditë në Madrid. Darka e gabuar sapo ka dalë në shitje në të gjitha libraritë në Spanjës. Ai ka përkthyer në spanjisht pothuajse të gjithë korpusin letrar të shkrimtarit Ismail Kadare, nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në Gur”, “Koncerti” etj., ndërsa e fundit ishte pikërisht “Darka e Gabuar” etj. e sjellë për lexuesin spanjoll nga shtëpia botuese “Alianza” në Madrid.
“Më shumë shkrimtari Ismail Kadare, Princi i Asturias për Letërsinë në vitin 2009, i detyrohet përpjekjeve të mëdha të përkthyesit të tij spanjoll Ramón Sánchez Lizarralde, i cili më së shumti iu përkushtua përkthimit në gjuhën spanjolle të veprave të Kadaresë, por që gjatë rrugës së tij me përkthimin solli në spanjisht edhe shumë shkrimtarë të tjerë, si Fatos Kongoli, Bashkim Shehu apo Luan Starova, falë njohurive që ai kishte marrë në Tiranë për këtë gjuhë unike indo-europiane, që flitet vetëm nga rreth 7 milionë shqiptarë. “Darka e gabuar” e shkruar nga autori Ismail Kadare në mes të viteve 2007-2008 dhe e botuar një vit më vonë, ishte dhe libri i fundit që Ramón Sánchez Lizarralde përktheu për lexuesin spanjoll pak para vdekjes së tij, në korrik të këtij viti.” - kështu shkruan revista kulturore “El cultural” në Madrid. Përkthyesi i veprave të shkrimtarit shqiptar në spanjisht e vlerësonte Kadarenë si një shkrimtar klasik universal dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të Europës. Ai vlerësonte imagjinatën e mrekullueshme të shkrimtarit. Dhe përsa i përket punës së tij si përkthyes i letërsisë shqipe, por veçanërisht i Kadaresë, ai është shprehur se “gjuha shqipe në penën e Kadaresë është dëshmuar e aftë për të përçuar të gjitha mrekullitë”. Ndërkohë vetë shkrimtari ynë Ismail Kadare e ka konsideruar gjithmonë veten me fat që në spanjisht ka një përkthyes si Ramón Sánchez Lizarralde. “Ramón Sánchez Lizarralde është një nga përkthyesit më të mirë. “Libri i shkrimtarit Ismail Kadare ‘Darka e gabuar’ është përkthyer me një vetë-besim të mahnitshëm nga spanjolli Lizarralde, cili për përkthimet e tij nga gjuha shqipe në gjuhën spanjolle fitoi më 1993 Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit për romanin ‘Koncerti’ i po të njëjtit autor”- shkruan “El Cultural”. Në vitin 2005 Lizarralde u nderua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërise me çmimin “Pena e argjendtë”, për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë. Ndërsa në fillim të këtij viti ai u nderua nga mbreti Huan Karlos i Spanjës me titullin “Comendador” i Urdhrit për Merita Civile me motivacion: “Për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës”. Lizarralde ishte jo vetëm përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle, por dhe një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ai ka përkthyer në spanjisht pothuajse të gjithë korpusin letrar të shkrimtarit Ismail Kadare dhe gjithashtu një pjesë të përrallave shqiptare, si edhe autorë të tjerë si Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj. Që nga viti 1990 ai iu përkushtua tërësisht përkthimit. Libri i parë që ka përkthyer në gjuhën spanjolle ishte “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe e mbyll po me Kadarenë me “Darka e Fundit”. Përgatiti: A.Tuci