E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Bumçi: 3 miliardë lekë për stadiumin

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-10-2011 15:50

Me kërkesën e deputetit Fidel Ylli, është paraqitur ditën e djeshme për një seancë dëgjimorë, në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit, ministri i MTKRS-së Aldo Bumçi. Në kërkesën e dërguar ministrit i është kërkuar dhënia e informacionit për disa pika shqetësuese për sportin, ku ndër më kryesoret ishte mungesa e infrastrukturës dhe projekteve. Zoti Bumçi e ka nisur dhënien e sqarimeve me projektet e rëndësishme që ka MTKRS-ja. “Në lidhje me ndërtimin e stadiumit “Qemal Stafa” qeveria shqiptare ka bërë gjithçka që është në përgjegjësinë e saj, që ka të bëjë me bazën ligjore, transferimin e shoqërisë anonime, krijimin e një bordi, dhënien e një fondi. Patjetër, 300 milionë lekë të reja është një fond që tregon vullnetin e qeverisë dhe deri më sot ky fond mbetet i ngrirë. Ky projekt madhor do të ndërtohet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me federatën shqiptare të futbollit, e cila në bashkëpunim me organizma ndërkombëtarë, me donatorë të huaj do të krijojë mundësinë e ngritjeve të fondeve,” ka deklaruar zoti Bumçi. Tjetër projekt që në planet e MTKRS-së hynte te të rëndësishmit, ishte ndërtimi i një fshati turistik aty ku ndodhet kompleksi “Dinamo”. Projekti është gati dhe priten vetëm donatorët. Gjithashtu do të rikonstruktohet Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. Më pas, ministri Bumçi ka përmendur edhe investimet e kryera në disa fushe dhe stadiume të vendit sin ë Elbasan, Durrës apo edhe në Sukth e Thuman. Nga ana e tij, deputeti Ylli rithekson edhe një herë se problemet më kryesore janë ato të zhdukjes së ambienteve sportive në kryeqytet e klubeve të mëdha kryeqytetase: “Unë nuk di që të jetë ndërtuar ndonjë pallat sporti apo stadium enkas ku të stërviten talentet. Dy klube të mëdha si Partizani dhe Dinamo janë shkatërruar dhe dëmi që vjen nga shkatërrimi i këtyre dy shkollave është vërtet i madh.” Më pas, deputeti Ylli ka marrë për shembull largimin e Elis Gurit dhe shpalljen e tij kampion me Bullgarinë. Por ministri Bumçi theksoi se nuk është tërësisht kompetencë e ministrisë e aq më tepër në një periudhë të tillë të liberalizimit të vizave, deputeti Ylli e gjen diku tjetër problemin e mosfunksionimit të ingranazheve nga MTKRS te federatat dhe e ngre gishtin akuzues drejt drejtorisë së sporteve e udhëhequr nga Vasil Bici, drejtori të cilën Ylli e akuzon sit ë paaftë. “Një sportist si Elis Guri i vjen Shqipërisë një herë në 100 vjet kurse ju thoni se me liberalizimin e vizave mund të ikë kushdo. Sportistë të tillë do të largohen gjithmonë nëse bëjnë llogari të thjeshta. Këtu mungojnë pagesat dhe shpërblimet për ta. Vendimi i qeverisë për shpërblimet është i mirë, pavarësisht se është ndërruar 5 herë në këta katër vjet dhe është ndërruar nga paaftësia e atyre drejtuesve që ke aty në krah zoti ministër. Është drejtoria më e dobët e sportit që ka pasur ndonjëherë historia. Janë kolegë të mi, i njoh mirë, janë tërësisht të paaftë.”, u shpreh deputeti socialist Fidel Ylli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›