Aldrin Dalipi: Basha i dha mbetjet klanit mafioz!
Ashtu si në betejën mes qeverisë dhe opozitës është ashpërsuar gjuha dhe në bashkinë e Tiranës mes këshilltarëve të opozitës dhe Bashës. Kreu i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi ka kërkuar shpjegime nga Basha në lidhje me landfillin për përpun9imin e plehrave. Sipas Dalipit fabrika e ngritur në territorin e komunës Vaqarr, e cila merret me përpunimin e mbetjeve ushtron aktivitetin pa u pajisur më parë me leje mjedisore.
Akuzat e opozitës
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës, akuzojnë kreun e Bashkise Lulzim Basha se u hoqi të drejtën romëve të mblidhnin mjete të riciklueshme, me qëllim për të favorizuar një kompani, e cila vetëm para pak kohësh është regjistruar pranë QKR-së. “Plehrave u doli tymi, gazetarë të pavarur të gazetës “Idea” kanë kryer një investigim të pavarur, mbi denoncimet e bëra pak javë më parë. Monopoli i mbetjeve, si një strukturë e tipit mafioz është ndërtuar tashmë në Tiranë. Zoti Basha, duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Tiranës, cila është firma që mbrohet natë e ditë nga uniformat e Bashkisë? Cili është pronari i vetëm që kontrollon këtë biznes, duke goditur shtresat që jetojnë në varfëri të thellë? A e ka lejen mjedisore? Ministria e Mjedisit të japë përgjigje për këtë çështje”, tha Aldrin Dalipi, kreu i Këshilltarëve Socialistë në Bashki.
Beteja për plehrat
Sipas Dalipit, Bashkia e Tiranës i ka dhënë kësaj kompanie, pas të cilës nuk dihet kush fshihet,të drejtën të shfrytëzojë mbeturinat që nëpërmjet firmave të pastrimit i depoziton në Sharrë. Këshilltarët kërkojnë shpjegime se përse është dhënë pa tender shfrytëzimi i mbetjeve, pasi në treg ka dhjetëra kompani biznesi riciklimi dhe mbi të gjitha një kompanie pa leje mjedisore. Si fillim u hoqën romët që bënin selektimin e mbetjeve në Sharrë, të cilat me pas i shisnin. Por nuk mjaftoi me kaq, pasi pak më vonë romët nuk u lejuan t’i grumbullojnë as nëpër kazanë nëpër Tiranë, me qëllim, që mbetjet të vihen në dispozicion të kësaj kompanie e të selektohen nga punëtorët e saj në landfill. Burime të besueshme bëjnë me dije se kompania që gëzon sot ekskluzivitetin e shfrytëzimit të mbeturinave quhet “Green” dhe përfaqësohet nga Oliver Shtylla, i cili në profilin e vet profesional shkruan se është i punësuar si menaxher në Qendrën e Biznesit ‘Megatek’. Kjo kompani nuk është pajisur ende me leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit, ndërkohë që ajo ushtron aktivitetin e saj fare në breg të lumit Erzen dhe specialistë të mjedisit thonë se një gjë e tillë është e patolerueshme.