Ish-Presidenti Topi, sot zyrtarisht në FRD

Takimi i parë i Topit me drejtuesit e FRD
TIRANE- Ish-Presidenti Bamir Topi do të jetë nga sot zyrtarisht anëtar i Frymës së Re Demokratike. Komisioni nismëtar i kësaj force politike, pak dite me pare përcaktoi edhe modalitetet e ceremonisë që do të mbahet në selinë e FRD-së, pak metra larg asaj të Partisë Demokratike.
Sot është parashikuar që ceremonia të zhvillohet në orën 11:00. Fillimisht Topi do të takohet në FRD me anëtarë të kësaj partie, të cilët do të jenë të pranishëm aty, më pas do të mbahet një takim me dyer të mbyllura me komisionin nismëtar.
Rreth orës 11:20, ai do të dalë së bashku me themeluesit e kësaj partie në një konferencë për shtyp, ku pasi të mbahet edhe deklarata e parë, do tu përgjigjet edhe pyetjeve të gazetarëve.
Takimi i parë zyrtar i Topit me themeluesit e FRD-së erdhi më 3 gusht, dhjetë ditë pasi ai la zyrën e kreut të shtetit. E njohëm Presidentin me projektin tonë politik, që synon të sjellë një politikë ndryshe, në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për integrimin europian të bëhet realitet. Eksperienca e Presidentit Topi, si një nga politikanët më të spikatur të Shqipërisë, do të jetë një aset i shtuar dhe i mirëpritur nga FRD, u shpreh Gazmend Oketa, ish-ministri i Mbrojtjes i PD-së, pas atij takimi.
Nga ana e tij, Topi tha: Unë jam i bindur tashmë që takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD-së, një forcë e re politike, e cila në projektin politik e ka bërë tashmë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e zotit Oketa. Kur është pyetur për aleancat e mundshme, ka thënë që aleanca jonë është aleancë për qytetarin.
FRD-ja është ende në një proces organizimi dhe gjashtë tre muajve të ardhshëm është parashikuar një fushatë intensive dialogu në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në muajin tetor është parashikuar të mbahet edhe kuvendi i parë i kësaj force politike.