Meta në Çorovodë: Nuk duhet të hidhet baltë mbi 29 Nëntorin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar dje homazhe në varrezat e dëshmorëve në Çorovodë. Në fjalën e tij, Meta ka theksuar se 5 shtatori është një datë e veçantë pasi me të fillon çlirimi i Shqipërisë ndërsa shtoi se datat 28 dhe 29 Nëntor janë bashkë si kokat e shqiponjës në flamur. Sot nderojmë gjakun e të rënëve në emër të një kauze të madhe mbarë evropiane. Sot përkulemi me nderim të madh para sakrificës, jetës dhe veprës së dëshmorëve të Atdheut. Gjaku i dëshmorëve të LANÇ në mbrojtje të pavarësisë së vendit prandaj nuk duhet të hidhet baltë mbi ta dhe mbi 29 nëntorin theksoi Meta. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim nderoi dje dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Çorovodë me rastin e 5 shtatorit, çlirimit të qytetit.
————————
Berisha: Zjarret, në shumicë vihen për shkak të inateve
Kryeministri Berisha është i bindur se në shumicën dërrmuese të rasteve, zjarret që kanë rënë në vend këto javët e fundit, nuk kanë të bëjnë me temperaturat e larta, por me zjarrvënien nga njeriu. Fatmirësisht, zjarret nuk kanë shkaktuar viktima, por dëmet e tjera kane qenë të konsiderueshme, veçanërisht në pyje, ku sipas Kryeministrit llogariten paraprakisht 1690 hektarë të djegur, në kullota, që digjen nga vetë barinjtë si praktikë e përvitshme janë djegur rreth 4000 hektarë dhe në shkurre llogariten si te djegura 600 hektarë. Në bindjen time më të thellë në 99.99 për qind janë vepër e ligësisë, kriminalitetit njerëzor, piromanë, keqdashës që djegin pronën njëri-tjetrit, tha Berisha. Kryeministri i dënoi ashpër aktet e zjarrvënës, që përveçse dëmtojnë pasurinë natyrore, vënë në rrezik edhe jetët njerëzore.