Aldrin Dalipi: Basha të lërë maketet e tu shërbejë qytetarëve
Kryetari i këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, ka kërkuar nga kreu i bashkisë, Lulzim Basha, që ti lërë prezantimet e maketeve, por të dalë dhe të zgjidhë problemet e qytetarëve. Reagimi i Dalipit ka ardhur pasi banorë të zonës së Shkozës kanë ngritur fort shqetësimin e tyre për mungesën e ujit të pijshëm. Ata ankohen se mbi katër muaj nuk furnizohen me ujë të pijshëm edhe pse e paguajnë rregullisht atë e nuk janë debitorë ndaj kompanisë së ujësjellësit që administrohet nga Bashkia e Tiranës.
Revoltën banorët e kësaj lagjeje në periferi të kryeqytetit e kanë ndaj kryetarit të Bashkisë, që edhe pse u ka premtuar për zgjidhje të problemeve, premtimet e tij kanë rezultuar një mashtrim.
Dua ti bëj thirrje, bashkë me ju sot, kryetarit të bashkisë të vijë të zgjidhë këtë problem. Të dalë nga sallat dhe maketet. Tirana e ka planin e saj urbanistik prej vitit 2008. Basha tu kthejë shërbimet qytetarëve që paguajnë taksat dhe faturat rregullisht pavarësisht çmimeve të rritura, ka thënë Dalipi pasi është takuar me banorët e Shkozës, që kanë prej katër muajsh pa ujë.