E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Presidenti i ri, konsensual dhe jo nga maxhoranca

Bamir Topi / Foto arkiv

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Bamir Topi, u shpreh sot se pasardhësi i tij duhet të jetë konsensual dhe jo nga radhët e maxhorancës. Topi u shpreh për një proces serioz dhe me frymë konsensuale dhe theksoi se një kandidat nga radhët e maxhorancës më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni.

Përpara se ta thonë ndërkombëtarët, e thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Ne në një farë mënyrë po kujdesemi gjithnjë e më shumë që të jemi në rregull me ndjesinë e ndërkombëtarëve, se sa me atë që duhet të kemi ne konkretisht, qoftë si shoqëri, qoftë si institucione.

Unë do ta konsideroja jo fort elegante që të merresha me identikitin e pasardhësit që do të jetë në zyrën e presidentit te Republikës, por duke njohur tashmë problematikën e atij institucioni, por edhe lidhjet kushtetuese që ky institucion ka me institucionet e tjera, pra duke e parë në një farë mënyre situatën në pamje tredimensionale, si qytetar, si ish-parlamentar, por edhe si president, unë do ta konsideroja procesin e zgjedhjes së Presidentit jo vetëm nga pikëpamja kushtetuese, por edhe nga fryma e zgjedhjes; dhe këtu jam dakord me mjaft zëra që jo vetëm duhet të jetë një proces serioz e i kujdesshëm, por nga ana tjetër duhet të gjejë një konsensus sa më të gjerë.

Marrja në mënyrë shumë të thjeshtë e këtij problemi, duke e konsideruar presidentin, qoftë edhe nga radhët e një vendimmarrjeje të thjeshtë maxhoritare, më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni dhe për vendimmarrje të rëndësishme që presin Shqipërinë në kuadrin e reformave të ndryshme, në kuadrin e një klime të ekuilibruar në politikën shqiptare, por sidomos për sa i përket rëndësisë së institucioneve të pavarura, që ato ta ruajnë pavarësinë e tyre, ta zhvillojnë këtë pavarësi, të rrisin integritetin e tyre qoftë moral apo profesional dhe tek e fundit do të kemi një Shqipëri akoma më të mirë, tha Topi. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›