E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca Kundër Importit të Plehrave: KQZ të veprojë si institucion zgjedhor dhe jo si organ akuze

Share

Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka reaguar ndaj deklaratave të KQZ se ata janë ende në kohë për të kthyer përgjigjen për çështjen e referendumit. Sipas AKIP, ata kanë dorëzuar kërkesën më 13 mars dhe ka një numër protokolli për këtë çështje.

Lidhur me pretendimin  e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se afati ligjor për vlerësimin e firmave për referendum të përgjithshëm rreth importit të mbetjeve nuk ka mbaruar ende, sqarojmë si më poshtë:  Dorëzimi nga grupi nismëtar  i kërkesës për referendum dhe i firmave është bërë në KQZ në datën 13 mars 2012, me numër protokolli 6531/3, gjë që është lehtësisht e verifikueshme për çdo qytetar apo institucion të interesuar. Rrjedhimisht, afati  prej 90 ditësh që KQZ ka në dispozicion sipas nenit 128 të ligjit 9087, date 19.06.2003 ka përfunduar që në datën 11 qershor 2012. KQZ, vazhdon edhe sot të mbetet në shkelje të afatit ligjor, thuhet në deklaratën e AKIP.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka komentuar edhe deklaratën e KQZ se firmat janë të falsifikuara. Sipas AKIP, firmat janë shoqëruar edhe me numrat e kartave të identitetit. AKIP shton se KQZ duhej ti kishte informuar nëse duhej plotësuar dokumentacioni i formave.

Gjithashtu, me keqardhje shprehim indinjatën tonë lidhur me deklarimet e papërgjegjshme të KQZ-së mbi falsifikime firmash të bëra publike në media dhe për të cilat KQZ nuk denjoi të na njoftonte zyrtarisht si palë e interesuar dhe në proces. E ftojmë KQZ-në që në vend të deklaratave bombastike për falsifikime të shprehet nëse ekzistojnë apo jo 50 mijë firma të rregullta në mbi 62 mijë firma që ne kemi dorëzuar pranë saj.   KQZ-ja ka detyrimin ligjor të na informojë lidhur me mangësitë eventuale në dokumentacion dhe të na japë jap kohën që parashikon ligji për ta plotësuar dokumentacionin e firmave. 

Garancia e vërtetësisë së vullnetit qytetar për referendum, janë fotokopjet e kartave të identitetit të vëna si kusht nga vetë KQZ-ja, të cilat janë dorëzuar me vullnet të lirë nga qytetarët. Me akuzat e saj qesharake se 70% e firmave janë te falsifikuara, KQZ na akuzon se kemi vjedhur rreth 43 mijë karta identiteti të qytetarëve shqiptarë, pa dijeninë e tyre. Ky pretendim i KQZ është totalisht qesharak dhe dëmton kredibilitetin e vete institucionit.

KQZ-ja duhet të kuptojë që roli i saj kushtetues është të mundësojë shprehjen e vullnetit popullor dhe jo bllokimin e tij nëpërmjet laboratorëve kriminalistikë të institucioneve të dhunës. Shprehim indinjatën tonë që KQZ nëpërmjet akuzave për falsifikime po përpiqet të injorojë  vullnetin e mbi 50 mijë qytetarëve, njëkohësisht votues shqiptarë, shprehur me firmat dhe kartat e tyre të identiteti.

Në konkluzion i kërkojmë KQZ-së që të veprojë në përputhje me pozicionin e saj kushtetues si një institucion zgjedhor dhe jo si një organ i akuzës, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›